The Washington Post raporton se ekonomia amerikane po përballet me një dobësim të dukshëm, duke ngritur shqetësime se vendi mund të rrëshqasë drejt recesionit përpara se të realizohen premtimet e presidentit Donald Trump për një “epokë të artë” ekonomike.

Treguesit kryesorë nuk janë optimistë: punësimi është në rënie, inflacioni mbetet i lartë dhe parashikimet për të ardhmen po errësohen. Shumë analistë i fajësojnë politikat e pazakonta tarifore dhe të imigracionit të administratës Trump, ndërkohë që të tjerë drejtojnë gishtin nga Rezerva Federale dhe kreu i saj, Jerome H. Powell, për vendimmarrjen e ngadaltë në uljen e normave të interesit.

Në fillim të vitit, ekonomia e SHBA-ve po rritej me 2.4% dhe vetëm në dhjetor ishin shtuar 323 mijë vende pune. Por sipas të dhënave më të fundit, në gusht u shtuan vetëm 22 mijë vende pune, një ngadalësim drastik që ka tronditur tregjet financiare. Neil Dutta, nga “Renaissance Macro Research”, tha për median amerikane se “mundësitë për një recesion janë gati 50/50, në mos më shumë”.

Administrata Trump e mohon me forcë këtë perspektivë, duke u përpjekur të qetësojë opinionin publik. Sekretari i Tregtisë, Howard Lutnick, i tha CNBC se ekonomia mund të rifillojë rritjen brenda gjashtë muajve, ndërsa vetë presidenti paralajmëroi se “brenda një viti” investimet në inteligjencën artificiale do të sjellin një transformim të madh.

Megjithatë, eksperienca e administratës Biden me inflacionin tregon se qytetarët nuk e presin mirë thirrjen për të pasur durim ndërsa kushtet ekonomike përkeqësohen. Jo rastësisht, Trump shënjestroi sërish Fed-in, duke e quajtur Powell-in “Jerome ‘Shumë Vonë’ Powell” në platformën e tij Truth Social.

Në sfondin e kësaj krize, investitorët presin me siguri që Fed të ulë normat e interesit në takimin e saj të 16-17 shtatorit. Tregjet parashikojnë një ulje prej 0.25 pikë përqindjeje, me një probabilitet 90%, dhe një shans më të vogël për një ulje më të thellë prej 0.50 pikë.

Trump shpreson se ulja e normave do të gjallërojë tregun e pasurive të paluajtshme, i cili aktualisht është i mbingopur me shtëpi të pashitura. Megjithatë, sipas bankave si Goldman Sachs dhe Barclays, ekonomia amerikane mund të përjetojë ulje të njëpasnjëshme të normave në muajt në vijim, gjë që tregon seriozitetin e situatës.

Ekspertët theksojnë se dobësia e tregut të punës lidhet drejtpërdrejt me politikat e Trump: tarifat më të larta që prej viteve ’30 kanë ndalur investimet dhe rritur pasigurinë për bizneset, ndërsa sektori i prodhimit ka humbur 41 mijë vende pune që prej shkurtit. Për më tepër, ndalimi i imigracionit dhe bastisjet në vendet e punës kanë ulur disponueshmërinë e fuqisë punëtore, duke frenuar punësimin.

Në të njëjtën kohë, punësimi në qeverinë federale ka rënë me gati 100 mijë vende këtë vit, ndërsa edhe shtetet federale po përballen me presion buxhetor nga legjislacioni i ri i Trump, i njohur si “One Big Beautiful Bill”.

Ekonomisti Dean Baker nga Center for Economic Policy Research tha se rezultatet e deritanishme nuk tregojnë as fillimet e një rimëkëmbjeje të bazuar në tarifa. “Po shkon në drejtimin e gabuar”, theksoi ai.

Nëse SHBA do të arrijnë të shmangin një recesion varet nga politikat e ardhshme të Fed-it dhe nëse premtimet e administratës Trump për një “epokë të artë” do të materializohen apo do të mbeten thjesht retorikë politike.

/tvklan.al