Carlo Ancelotti e kishte shprehur gjithmonë, se përpara mbylljes së karrierës si trajner, dëshironte të punonte në stolin e një përfaqësueseje. Momenti ka ardhur. Trajneri i mirënjohur italian ka arritur akordin me Brazilin.
Pas bisedës me presidentin e federatës së vendit latin, u gjet marrëveshja deri në Botërorin 2030, me Ancelotti-n që pritet të nisë nga puna në muajin qershor. Prej largimit të Tite-s, “seleçao” vuajti të gjente një trajner të përshtatshëm.
Te Brazili provuan edhe më përpara ta rrëmbenin Carletto-n nga Reali i Madridit, por ai zgjodhi të qëndronte me klubin mbretëror, duke triumfuar në Europë. Tashmë situata ka ndryshuar.
Pas eliminimit nga Champions, humbjes së finales së Kupës së Mbretit dhe faktit që Barcelona është në pozita komode për të fituar titullin, marrëdhënia me Florentino Perez nuk është më e mira. Tekniku italian vendosi të mbyllë ciklin te Reali, pa marrë pjesë në Botërorin e Klubeve. Te Brazili e presin që në harkun e pak javëve të nisë punën, sepse nevojiten pikë në kualifikueset e Botërorit 2026. Ancelotti do të përfitojë 10 milionë euro në sezon, ndërsa hapi i parë drejt zyrtarizimit është njoftimi për largimin nga Reali i Madridit. Pasardhës i tij do të jetë Shabi Alonso, ndërsa për momentin madrilenët do të emërojnë një trajner të përkohëshëm.
Tv Klan