Ish-princi është larguar nga Royal Lodge dhe po qëndron përkohësisht në pronën private të Mbretit, ndërsa përballet me presion për të dëshmuar në SHBA lidhur me Jeffrey Epstein.
Andrew Mountbatten-Windsor është zhvendosur nga rezidenca e tij në Windsor drejt pronës Sandringham, në Norfolk. Ai u largua nga Royal Lodge të hënën në mbrëmje dhe aktualisht po qëndron në Wood Farm Cottage, ndërsa banesa e tij e përhershme po i nënshtrohet rinovimit.
Buckingham Palace kishte njoftuar që në tetor se Mountbatten-Windsor do të dorëzonte qiranë e Royal Lodge, në të njëjtën periudhë kur iu hoq titulli princ. Sipas burimeve, ai pritet të vendoset përfundimisht në Marsh Farm, brenda pronës Sandringham.
Prona Sandringham është në pronësi private të Mbretit, i cili do të mbulojë shpenzimet e banesës së re të vëllait të tij. Mountbatten-Windsor, i njohur më parë si Duka i Jorkut, pritet të rikthehet në Windsor në javët e ardhshme për të marrë sendet e mbetura personale, por baza e tij e përhershme tashmë është zyrtarisht në Norfolk.
Largimi nga Royal Lodge pasoi polemika lidhur me kushtet e qirasë. Një raport i Zyrës Kombëtare të Auditimit tregon se në vitin 2003 ai kishte paguar mbi 8 milionë paund për riparime, duke shlyer paraprakisht qiranë për një kontratë 75-vjeçare. Megjithatë, Crown Estate ka vlerësuar se prona ka nevojë për aq shumë riparime, saqë ai nuk pritet të përfitojë kompensim për dorëzimin e parakohshëm të kontratës.
Zhvendosja ndodh ndërsa presioni ndaj Mountbatten-Windsor është rritur për të dëshmuar në Shtetet e Bashkuara mbi lidhjet e tij me financierin Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale. Ai ka mohuar vazhdimisht çdo shkelje.
Autoritetet britanike po vlerësojnë akuza sipas të cilave një grua është dërguar në Mbretërinë e Bashkuar nga Epstein për një takim seksual me Mountbatten-Windsor në vitin 2010, në Royal Lodge. BBC i ka kërkuar koment për këto pretendime, por ai nuk ka reaguar deri më tani.
Presioni është shtuar edhe pas publikimit të dokumenteve nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, të cilat përfshijnë komunikime dhe materiale që lidhen me marrëdhëniet mes Epstein dhe Mountbatten-Windsor.
Jeffrey Epstein vdiq në një burg në Nju Jork në vitin 2019, ndërsa priste gjyqin për akuza për trafikim seksual.
/tvklan.al












Botërori 2026 
