39 vepra që ofrojnë një shëtitje në botën e ikonës së “pop artit”, Andy Warhol, janë ekspozuar prej datës 5 Qershor në muret e Galerisë së Artit të Tiranës. Në vizitën e tij në ekspozitë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se Tirana është kthyer një pikë e rëndësishme pritëse e artit të mirëfilltë bashkëkohor.

“Tirana është bërë epiqendra e gjërave të bukura që ndodhi në rajonin tonë, me art, kulturë dhe koncerte. Sot jetojmë një kohë kur në Tiranë po vjen e gjithë bota. Për ata që i kanë parë shumë nga riprodhimet e Andy Warhol në kabinat elektrike të qytetit, për ta bërë artin pak më miqësor me fëmijët, tani kanë mundësinë që të shohin 39 vepra të mirëfillta të artistit në Tiranë. Sot ky qytet nuk jeton vetëm me turizëm, me IT, por jeton edhe me art dhe kulturë”, deklaroi kryebashkiaku.

Veliaj tha se Tirana ka kalendarin më të dendur artistiko-kulturor në të gjithë rajonin.

Ky fakt na bën të ndihemi vërtet krenarë. Sot në Tiranë është sfidë të zgjedhësh se çfarë do të bësh më parë në mbrëmje. Mund të vish te ekspozita e Andy Warhol, mund të shkosh te festivali te Kinema “Agimi”, mund të shkosh te festivali tjetër te “Reja”, mund të shkosh te kinemaja “Maks Velo” në Laprakë, mund të ndjekësh aktivitete pa fund në sheshin “Skënderbej”. Askush nuk ka çfarë të thotë për mungesën e ofertës. Kemi ndoshta menunë më të gjerë dhe më të gjatë të aktiviteteve”, tha ai.

Një ftesë për ta vizituar ekspozitën kryebashkiaku Veliaj pati për të gjithë artëdashësit.

“Më vjen mirë që kemi pasur një fluks jo vetëm të turizmit, që sigurisht vijnë nga vende ku njihet arti bashkëkohor dhe ndoshta kanë qenë shumë herë më të hapura se ne, edhe para viteve ‘90. Por, më vjen mirë që për ekspozitën kanë treguar interes shkollat dhe universitetet, për të provuar një shije  të asaj që vlonte në vitet ‘80-‘90 në të gjithë botën, kur ne fatkeqësisht ishim të izoluar. Ndaj, ftesa për të gjithë është: Mos e lini për më vonë! Ne do të jemi hapur deri në datën 5 Gusht”, shtoi ai.

39 veprat e pop artit amerikan po shfaqen për publikun në ambientet e Galerisë së Artit të Tiranës.