Anglia e mbylli fazën e grupeve me një fitore bindëse 2-0 ndaj Panamasë në New Jersey, duke siguruar vendin e parë në Grupin L me shtatë pikë dhe një biletë si favorite drejt fazës me eliminim direkt.
Pas barazimit me Ganën, skuadra e Southgate reagoi në mënyrën më të mirë. Heroi i mbrëmjes ishte Jude Bellingham. Mesfushori i Real Madridit zhbllokoi sfidën në minutën e 62-të, duke shënuar me kokë pas një goditjeje nga këndi. Vetëm pesë minuta më vonë, ai u kthye në rolin e asistuesit, duke dhuruar një krosim perfekt për Harry Kane, i cili vulosi rezultatin 2-0 me një goditje të saktë me kokë.
Për kapitenin anglez ky ishte një gol historik. Me realizimin e tij të njëmbëdhjetë në Kupën e Botës, Kane kaloi Gary Lineker dhe u bë golashënuesi më i mirë i Anglisë në historinë e turneut. Me një Bellingham në superformë dhe një Kane gjithmonë vendimtar para portës, “Tre Luanët” konfirmojnë ambiciet për titullin dhe më 1 korrik do të përballen me Kongon në fazën me eliminim direkt.
Ndërkohë, në Filadelfia, Kroacia siguroi një fitore të rëndësishme 2-1 ndaj Ganës, duke mbyllur grupin në vendin e dytë me gjashtë pikë. Edhe pse barazimi do t’i mjaftonte për kualifikim, skuadra e Zlatko Dalić kërkoi fitoren që nga minuta e parë. Në minutën e 31-të, skuadra vajti në avantazh falë një supergoli të Sučić. Gana reagoi në pjesën e dytë dhe barazoi në minutën e 73-të me Luckassen, duke rikthyer emocionet në takim.
Megjithatë, kroatët nuk u dorëzuan. Në minutën e 83-të, pas një goditjeje nga këndi të Luka Modrić, Nikola Vlašić shënoi me kokë golin e fitores, duke vulosur suksesin. Me këtë fitore, Kroacia e mbylli Grupin L në vendin e dytë me 6 pikë dhe në fazën tjetër do të përballet me Portugalinë më 3 korrik. Edhe Gana, me 4 pikë, siguroi kualifikimin si një nga tetë ekipet më të mira të vendeve të treta dhe më 4 korrik do të sfidojë Kolumbinë.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 