Anis Mehmeti po përjeton një nga sezonet më të jashtëzakonshëm në karrierë. Talenti shqiptar ka dhuruar një tjetër performancë fenomenale në Championship, teksa realizoi golin e shtatë në 23 ndeshje.

Një ekzekutim brilant për t’i hapur udhë fitores 2-1 që Bristol City regjistroi në fushën e West Brom. Goditje kirurgjikale nga ana e 24-vjeçarit, që dërgon sinjale pozitive edhe për trajnerin Sylvinho.


Mehmeti nuk gjendet prej kohësh në urdhrat e teknikut të kombëtares shqiptare, gjithsesi, forma e tij po monitorohet nga afër nga stafi kuqezi. Për 24-vjeçarin kuqezi, ky është goli i 7-të në divizionin e dytë të futbollit anglez, ndërsa ka edhe 6 asiste.

Bristol City shpreson ngjitjen në renditje deri në fund të sezonit për tu rikthyer në Premier League angleze. Mehmeti ka dhënë sinjale, mbetet vetëm për tu konkretizuar në pikë në fushën e lojës.

Klan News

/tvklan.al