Udhëheqësit e NATO-s do të mblidhen në Ankara për samitin e 7 dhe 8 qershorit, mes presionit nga Presidenti Donald Trump që Evropa të rrisë shpenzimet e mbrojtjes dhe pas muajsh fërkimesh transatlantike mbi luftën në Iran dhe Groenlandën.

Në samit do të marrin pjesë drejtuesit e të 32 vendeve anëtare të NATO-s, Presidenti i Ukrainës, krerët e institucioneve kryesore të Bashkimit Evropian dhe delegacione të rëndësishme.

Për Turqinë, ky samit përfaqëson shumë më tepër sesa një takim të zakonshëm të NATO-s, me pritshmëritë për forcimin e pozicionit të saj, rigjallërimin e marrëdhënieve me Uashingtonin dhe çështje të tjera.

Një nga momentet më të rëndësishme pritet të jetë takimi mes Presidentit turk Rejep Tjip Erdogan dhe kreut të Shtëpisë së Bardhë Donald Trump, vizita e parë e një presidenti amerikan në Turqi në 12 vjet.

Ndërsa Shqipëria pret që samiti i Ankarasë të konfirmojë zyrtarisht organizimin e samitit NATO 2027, i cili është planifikuar të mbahet në Tiranë.

Sa i takon sigurisë, autoritetet turke kanë vendosur masa të jashtëzakonshme. Mbi 56 mijë efektivë policie dhe xhandarmërie janë angazhuar për garantimin e rendit, ndërsa janë mbyllur rrugë kryesore dhe janë vendosur kufizime në qarkullimin rrugor dhe atë ajror.

Paralelisht, operacionet e sigurisë kanë çuar në qindra hetime dhe dhjetëra arrestime, ndërsa kontrollet vijojnë. Autoritetet turke gjithashtu kanë arrestuar persona që morën pjesë në një tubim kundër samitit të NATO-s, të organizuar nga partitë e majta.

Takimi mbahet në Kompleksin Presidencial të Ankarasë, nën kryesinë e Recep Tayyip Erdogan, ndërsa tre aeroporte do të përdoren për pritjen dhe përcjelljen e delegacioneve.

Gjithashtu pritet që rreth 3,000 gazetarë ta mbulojnë samitin.

Tv Klan

/tvklan.al