Aktorja e njohur amerikane, Anne Hathaway, është bërë nënë për herë të tretë.

Lajmi u bë i ditur të mërkurën, më 18 nëntor, nga revista TMZ, e cila publikoi fotografi të aktores 43-vjeçare duke shëtitur në rrugët e Nju Jorkut me të porsalindurin në një mbajtëse bebesh. Hathaway dukej e lumtur gjatë shëtitjes me një mikeshë, me të cilën bisedonte dhe qeshte.

Aktorja kishte njoftuar shtatzëninë më 19 qershor, përmes një postimi në Instagram, ku shfaqej me barkun e rrumbullakosur. “Bebi im, unë jam e jotja”, kishte shkruar ajo në përshkrimin e fotografisë.

Në një intervistë për emisionin “CBS Mornings”, në muajin tetor, Hathaway kishte folur për emocionet dhe padurimin për të pritur anëtarin e ri të familjes. Ajo kishte theksuar se dëshira e tyre ishte të shijonin edhe kohën e mbetur si familje me katër anëtarë, përpara ardhjes së bebit.

Gjatë turneut ndërkombëtar të promovimit të filmit “The Devil Wears Prada 2”, aktorja kishte preferuar ta mbante shtatzëninë larg vëmendjes publike. Sipas një burimi për revistën People, ajo dëshironte që fokusi të mbetej te filmi dhe ta bënte vetë publik lajmin, në momentin dhe mënyrën që e konsideronte të përshtatshme.

/tvklan.al