Antarktida po gjelbërohet gjithnjë e më shumë. Një transformim i dukshëm ku zonat e mbuluara me vegjetacion janë shtuar 10 herë në 40 vitet e fundit. Imazhet e fundit satelitore janë analizuar nga një grup ekspertësh të universitetit Exeter në Mbretërinë e Bashkuar dhe janë publikuar në revistën ndërkombëtare shkencore Nature.

Janë vendosur në krahasim imazhet duke nisur që nga viti 1986 deri më sot, dhe zona e gjelbër nga më pak se një kilometër katror, ka arritur në 2021 në 12 kilometër katror, me rritje të theksuar nga viti 2016. Bëhet fjalë për një mbulesë të gjelbër kryesisht me myshqe dhe është e destinuar të zgjerohet edhe më shumë.

Këto ekosisteme mund të kompromentojnë mjedisin e gjithë rajonit, duke i shtuar jetë organike terrenit, si dhe numrin e bimëve. Kjo do të sjellë mbërritjen e specieve të reja jo autoktone dhe pushtuese, të transportuara edhe nga ekoturistë, shkencëtarë apo vizitorë të tjerë të kontinentit të bardhë.

Ndër arsyet kryesore renditen pikërisht ndryshimet klimatike, të induktuara nga njeriu.

Klan News