Ish-eksperti më i lartë i sëmundjeve infektive në SHBA, Dr. Anthony Fauci përpara panelit të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA ka mohuar fuqimisht teorinë se Covid-19 e kishte origjinën nga një rrjedhje laboratorike në Kinë, duke u thënë ligjvënësve se ai kurrë nuk ka ndikuar në kërkimet mbi origjinën e virusit.

Në herën e tij të parë duke iu drejtuar publikisht akuzave në një seancë 14-orëshe e mbajtur me dyer të mbyllura në janar, Fauci përsëriti gjithashtu se ai beson se origjina më e mundshme e pandemisë ishte transmetimi nga kafsha te njeriu. “Unë kam qenë gjithashtu shumë, shumë i qartë dhe kam thënë shumë herë, se nuk mendoj se koncepti i laboratorit është teoria më e besueshme, në thelb është një teori konspirative,” tha ai.

Fauci  këtë herë u përplas me ligjëvënësit republikanë edhe për izolimin gjatë pandemisë, maskat dhe vaksinimin si dhe me besueshmërinë e agjencisë që ai drejtonte, Institutit Kombëtar të Shëndetësisë. Muajin e kaluar, nënkomisioni i Dhomës së Përfaqësuesve zbuloi disa email-e në lidhje me mënyrat për t’iu shmangur ligjeve mbi të dhënat publike.

Ish-eksperti ka thënë prej kohësh publikisht se ka qenë i hapur ndaj të dyja teorive, por sipas tij ka më shumë prova që mbështesin origjinën natyrore të Covid-19 ndërsa mohon se e ka përdorur emailin e tij personal për punë qeveritare.

Shumë shkencëtarë besojnë se virusi ka shumë të ngjarë të jetë shfaqur në natyrë dhe ka kaluar nga kafshët tek njerëzit, ndoshta nga një treg në Wuhan dhe nuk ka prova shkencore që mbështesin teorinë se virusi mund të ketë rrjedhur nga një laborator. Ndërkohë një hetim i fundit i zbuloi se qeveria kineze bllokoi përpjekjet për të gjurmuar burimin e virusit, në javët e para të shpërthimit të pandemisë.

Republikanët kanë akuzuar gjithashtu Fauci se ka gënjyer Kongresin kur ai mohoi në Maj të vitit 2022, se agjencia e tij kishte financuar një proces kërkimor, në një laborator të Wuhanit, mbi ndikimin e mundshëm të një virusi në botën reale.

Ai gjithashtu përshkroi ngacmimet dhe kërcënimet me vdekje që ai dhe familja e tij kanë marrë pasi u fyen nga shumë ligjvënës republikanë për qëndrimet e tij pandemike dhe përkrahjen e vaksinave kundër Covid.

Klan News