Anthropic, kompania e themeluar nga Dario Amodei, e cila është në konflikt me Pentagonin dhe me vetë presidentin amerikan Donald Trump për shkak të kërkesës që qeveria të angazhohej të mos përdorte Claude (inteligjencën e saj artificiale) për krijimin e armëve plotësisht autonome nga kontrolli njerëzor ose për zhvillimin e sistemeve të mbikëqyrjes masive, ka fituar raundin e parë në gjykata.

Një gjyqtare federale në San Francisko, Rita Lin, ka urdhëruar Ministrinë e Mbrojtjes (tashmë e riemërtuar si Departamenti i Luftës) të mos zbatojë direktivën e lëshuar gati një muaj më parë që e shpallte Anthropic si “një rrezik për zinxhirin e furnizimeve” të qeverisë dhe bizneseve.

Me këtë akt, i cili i qe komunikuar të gjithë furnitorëve të Pentagonit, qeveria në fakt kishte vendosur ndalimin e start-up-it më të avancuar të inteligjencës artificiale. Për të vazhduar të jenë furnitorë të administratave publike, këto kompani (përfshirë gjigantë si Microsoft, Amazon dhe vetë Palantir që integron Claude në produktet e saj më të avancuara për ushtrinë) duhet të dëshmojnë se nuk përdorin Claude.

Presidenti kishte shkuar edhe më tej: në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump kishte urdhëruar të gjitha agjencitë federale të mos përdorin produkte informatike që përmbajnë çfarëdo lloj teknologjie të Anthropic.

Tani gjyqtarja Lin ka dhënë një urdhër pezullues të përkohshëm (për gjykimin e plotë do të duhen muaj), i cili hyn në fuqi pas një jave, kur skadon afati për apel nga qeveria federale. Por gjyqtarja ka përdorur gjuhë shumë të ashpër për të dënuar aktin e Pentagonit. Ajo ka shkruar se ndalimi i Anthropic është “një hakmarrje e paligjshme që shkel Amendamentin e Parë të Kushtetutës”.

Ajo shtoi: “Nuk ka asgjë në sistemin ligjor që të mbështesë tezën orwelliane sipas së cilës një kompani mund të shpallet armik ose sabotator i Shteteve të Bashkuara vetëm sepse nuk është dakord me qeverinë”.

Një sukses për kompaninë, e cila me ndalimin do të humbiste kontrata me vlerë miliarda dollarë: sipas gjykatës së San Franciskos, “një dëm financiar dhe reputacional që mund të shkatërrojë shoqërinë dhe të dëmtojë të tjera”.

Shumë kompani të sektorit, në fakt, kanë dalë në mbështetje të Anthropic duke dërguar peticione në gjykatë ku mbrojnë veprimtarinë e saj dhe theksojnë se urdhrat e qeverisë mund të prodhojnë një dëm të menjëhershëm dhe të konsiderueshëm për gjithë industrinë teknologjike të SHBA-ve.

Megjithatë, siç shkruan Corriere della Sera, ky është vetëm një hap i parë. Ndërkohë, Pentagoni ka vendosur ndalimin e Anthropic duke iu referuar dy ligjeve të ndryshme: përveç çështjes së paraqitur (dhe tashmë të fituar) në Kaliforni, kompania e Amodei-t ka depozituar një apel të dytë në Gjykatën e Apelit në Uashington, e cila ende nuk është shprehur (edhe pse pritet një vendim i ngjashëm).

Anthropic, edhe pse merr frymë më lehtë, shpreson të rikthejë marrëdhëniet me qeverinë: “Jemi mirënjohës ndaj gjyqtarëve, por duam të vazhdojmë të punojmë me qeverinë në mënyrë produktive për të siguruar që të gjithë amerikanët të përfitojnë nga një inteligjencë artificiale e sigurt dhe e besueshme”.

Një apel që duket se ka rënë në vesh të shurdhër, pasi Emil Michael, zv.sekretari që kishte udhëhequr negociatat me Amodei-n, e ka cilësuar vendimin e San Franciskos “një turp, një vendim plot gabime faktike që përpiqet të vërë në dyshim rolin e presidentit si komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura pikërisht kur vendi është i angazhuar në një konflikt”.

Për momentin, Palantir (furnitori i sistemeve informatike më të sofistikuara për Mbrojtjen dhe inteligjencën) mund të vazhdojë të mbajë IA-në e Claude të integruar në teknologjinë e vet.

Dhe ndoshta prapa skenës po punohet për një zgjidhje që, duke ruajtur imazhin e Anthropic (kompania më etike e Silicon Valley që për këtë arsye po fiton miliona përdorues të rinj) t’i lejojë Pentagonit të vazhdojë të përdorë produktet e inteligjencës artificiale siç dëshiron, pa iu nënshtruar rregullave të shërbimit të një kompanie private.

Në parim, një qeveri e zgjedhur nuk duhet të lejojë që një subjekt privat t’i imponojë kufizime mbi përdorimin e një teknologjie që ka blerë. Por jetojmë në një epokë ku e paimagjinueshmja bëhet realitet. Dhe inteligjenca artificiale po revolucionarizon gjithçka.

Shkrim nga Corriere Della Sera

/tvklan.al