Nuk u plotësua kuorumi, në votim morën pjesë 68 deputetë

Sekretariati i Etikës shpalli të pavlefshëm votimin e seancës plenare të 7 Marsit, pasi ligjet u kaluan pa kuorum. Në këtë seancë morën pjesë në votim 68 deputetë duke mos plotësuar kuorumin e nevojshëm prej 71 deputetësh.

Në këtë seancë u votua për zgjatjen e afatit të ligjit për investimet strategjike, projektligji “Për burimet ujore”, ndryshimet në ligjin “Për Turizmin”, projektligji për “Mbrojtjen e Konkurrencës” si dhe disa ndryshime në ligjin “Për arsimin dhe formimin profesional”.

Vendimi i Sekretariati i Etikës është cilësuar nga deputeti i PD Saimir Korrëshi si një fitore e vogël për PD, ndërsa theksoi se do të kryen edhe verifikime të tjera për votimet që janë kryer gjatë kohës që opozita ka qenë në aksion.

“Sot është një fitore e vogël ndoshta në dukje, por thjesht arroganca se si janë bërë këto votime gjatë gjithë kohës dhe opozita do të verifikojë të gjitha pjesët tjera të votimit që janë bërë gjatë kohës që kemi qenë në aksionin opozitar.”

Votimi u kontestua që më 7 Mars nga Grupi i PD, i cili ishte në aksion në tentativë për të bllokuar punimet e parlamentit. Kundërshtimi i dytë nga Gazment Bardhi për votimin me 68 vota erdhi dhe pasi PD kishte ndërprerë aksionin në kuadër të marrëveshjes me PS.

Kuorumi i nevojshëm për miratimin e ligjeve, sipas rregullores së Kuvendit do të duhet të jetë 71 vota, pra më shumë se gjysma e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.

Klan News