Pas gati 8 muajsh nga hapja e tenderit me vlerë mbi 364 milionë euro, për ndërtimin e autostradës “Milot–Balldren”, koncesioni është anuluar zyrtarisht.
Njoftimi i anulimit të koncesionit është bërë këtë të hënë, më 4 gusht, në buletinin e Agjencisë së Prokurimeve Publike.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, arsyeja e anulimit është se ofertat e paraqitura nuk përmbushin kërkesat e ftesës për procedurën konkurruese, pra nuk është dorëzuar asnjë ofertë e përshtatshme.
Gjurma e propozuar e autostradës “Milot–Balldren”, pjesë e korridorit blu, fillon në nyjen e Milotit, ku do të lidhet me segmentet e tjera rrugore Milot–Thumanë–Kashar–Lekaj dhe me Rrugën e Kombit, dhe do të përfundojë në rrugën ekzistuese Tiranë–Shkodër, në Balldren.
Tenderi për këtë koncesion u hap në dhjetor të vitit të shkuar, vlera e të cilit ishte 364.7 milionë euro dhe kohëzgjatja 35 vite.
Autostrada e re me gjatësi 17 kilometra parashikohej të mbyllej deri në vitin 2028, por tashmë procedura e tenderimit duhet të rihapet përsëri.
Kalvari i këtij koncesioni ka nisur që në vitin 2018, kur erdhi propozimi i pakërkuar për ndërtimin e kësaj autostrade, pjesë e korridorit Adriatiko-Jonian, dhe prej 7 vitesh ky projekt ka mbetur vetëm në fazë tenderi. Ky segment është i një rëndësie të veçantë sidomos për turizmin, pasi lehtëson trafikun në veri të vendit.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 
