Sektori i qirave afatshkurtra përmes platformave online si Airbnb dhe Booking po kalon në një fazë të re formalizimi dhe kontrolli institucional. Qeveria ka hedhur për konsultim publik projektligjin e ri për turizmin, i cili synon përfshirjen e çdo njësie akomoduese në një sistem të unifikuar digjital dhe statistikor.

“Njësitë akomoduese për qëndrime afatshkurtra regjistrohen, përpara fillimit të ushtrimit të veprimtarisë, nëpërmjet portalit unik qeveritar e-Albania dhe pajisen me kod unik regjistrimi. Regjistrimi kryhet për çdo njësi akomoduese, pavarësisht nëse administrohet individualisht ose si pjesë e njësive akomoduese të menaxhuara. Kodi unik i regjistrimit është i detyrueshëm të afishohet në çdo ofertë, reklamë ose publikim të njësisë akomoduese për qëndrime afatshkurtra, përfshirë platformat elektronike të ndërmjetësimit dhe rezervimit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit.  

Ky ndryshim prek drejtpërdrejt çdo qytetar që jep apartamente, vila apo dhoma me qira ditore. Listimi i pronës pa këtë kod përbën shkelje direkte dhe shoqërohet me sanksione financiare.

” Ky detyrim sjell një kulturë të re raportimi për tregun e informalitetit. Pronarët nuk mjaftohen vetëm me regjistrimin, por detyrohen të deklarojnë çdo muaj të dhëna mbi profilin e turistëve, netët e qëndrimit dhe numrin e vizitorëve. Mungesa e këtij raportimi ose deklarimi i pasaktë sjell gjoba që shkojnë deri në 100 mijë lekë. Subjektet e parashikuara në pikën 2 të këtij neni kanë detyrimin të raportojnë të dhëna të vërteta dhe të sakta sipas parimeve të statistikave zyrtare”, njofton Ministria.  

Me këto masa të reja, tregu i akomodimeve private kalon nga informaliteti total në një sistem të kontrolluar, duke garantuar më shumë siguri, transparencë dhe të ardhura për ekonominë e vendit.

/tvklan.al