Festim Bexhdili do të vuajë dënimin me burgim të përjetshëm. Ky është vendimi i Apelit të Gjykatës së Posaçme për vrasjen dhe zhdukjen e Jan Prengës, krim i ndodhur në janar të vitit 2020.
Apeli la në fuqi vendimin e dhënë nga shkalla e parë për kopshtarin e resortit. Rigjykimi ndaj tij ndau Prokurorinë e Posaçme në masën e dënimit që kërkuan për të në Apel.
Dënimi i parë ndaj tij me burg përjetë nga dy shkallët e gjyqësorit u prish nga Gjykata e Lartë, e cila argumentonte se SPAK nuk kishte prova për dijeninë e Bexhdilit mbi rrëmbimin dhe se ndihma që u kishte dhënë autorëve ishte momentale.
Në bazë të këtij qëndrimi, prokurori Behar Dibra kërkoi dënimin e tij me 20 vite heqje lirie. Ai tha në seancë se Bexhdili ishte në kompleks për shkak se punonte aty dhe nuk mund të mbahej përgjegjës edhe për vrasjen e Jan Prengës.
Nga ana tjetër, prokurorja Elida Kaçkini kërkoi lënien në fuqi të vendimit të dënimit me burgim të përjetshëm, duke e konsideruar Bexhdilin si bashkëpunëtor në ngjarjen e rëndë. Sipas pamjeve të kamerave, shpjegoi prokurorja, kopshtari ndihmoi në lëvizjen dhe fshehjen e trupit dhe në pastrimin e vendit të ngjarjes.
Për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës, SPAK ka të pandehur si porositës Dritan Rexhepin dhe 6 të tjerë, ndërsa shkak për këtë është bërë vjedhja e një sasie droge në Britani.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 