Gjykata Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi dënimin me 3 vite burg caktuar nga shkalla e parë për ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro.

Ky i fundit u shpall fajtor për shpërdorim detyre dhe mosdeklarim të pasurisë dhe do të vuajë vetëm 2 vite e 20 ditë heqje lirie pasi përfiton nga gjykimi i shkurtuar.

Veprat për të cilat ai është dënuar u provuan nga hetimet e SPAK, lidhur me një procedim penal ku u konfirmua se ish-kryebashkiaku kishte shkelur ligjin e privatizimit.

Konkretisht bëhet fjalë për 2 pasuri me sipërfaqe rreth 10 mijë metër katror, të cilat u tjetërsuan nga pronë shtet tek privatët.

Po për të njëjtën çështje, Apeli i Posaçëm la në fuqi dhe dënimin për 2 ish-zyrtarët e tjerë të bashkisë, Vezir Gjikoka dhe Jerasimo Basho, të cilët shkalla e parë i ka dënuar respektivisht me 2 dhe 3 vite burg.

Sipas vendimit, edhe ata do të përfitojnë ulje të dënimit.

Po ashtu, Apeli vendosi dhe konfiskimin e një apartamenti me sipërfaqe 81 m² në Tiranë, që sipas SPAK është në pronësi të kryebashkiakut.

Tv Klan

/tvklan.al