Apeli i Gjykatës së Posaçme ka lënë vendimin për sekuestron e pronave të Oltion Bistrit, që vlerësohen në 3.1 milionë euro. Ish-shefi i Operacionales zotëronte gjatë ushtrimit të detyrës së lartë 18 dyqane, 10 apartamente, 1 vilë, një sipërfaqe toke, një garazh dhe një makinë, që të gjitha në Tiranë.

SPAK ka deklaruar se vlera e këtyre pronave është disa herë më e lartë se të ardhurat e ligjshme të përfituara nga ish-zyrtari i policisë dhe familjarët e tij.

Ky është vendimi i dytë për sekuestrimin e pronave të Oltion Bistrit. Më 31 janar të këtij viti Gjykata e Posaçme i sekuestroi pasuri me vlerë 1 milionë euro. Bëhej fjalë për sipërfaqe toke, dyqane dhe një apartament banimi.

Oltion Bistri u arrestua në kuadër të dosjes Metamorfoza. Ish-shefi i Operacionales akuzohet për korrupsion, zbulimin e të dhënave sekrete si dhe pastrimin e produkteve të veprës apo veprimtarisë kriminale.

Bistri informonte biznesmenin Pëllumb Gjoka, edhe ky i arrestuar, për aksionet e policisë kundër lojërave të fatit. Gjithashtu ai dyshohet nga SPAK se ka fshirë provat e gjetura për vrasjen e Bardhok Pllanajt.

Klan News