Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi vendimin që sekuestroi 3 milionë Euro pasuri të ish-drejtorit të Operacionales, Oltion Bistri.

Ky i fundit kishte kërkuar lirimin e tyre me argumentin se ishin të justifikuara nga burime të ligjshme. Megjithatë, Apeli e rrëzoi këtë pretendim.

Pasuria e sekuestruar përbëhet nga apartamente, njësi shërbimi dhe makina, të dyshuara në pronësi të ish-drejtorit të Operacionales dhe familjarëve të tij.

SPAK argumenton se ka indicie për përfshirjen e Oltion Bistrit në aktivitete të paligjshme që prej vitit 2016.

Me anë të një njoftimi zyrtar, Prokuroria e Posaçme njoftoi se ka bllokuar 18 njësi, të përshtatura për dyqane dhe ambiente të tjera biznesi, në emër të familjarëve të Bistrit. 10 apartamente, 1 vilë, 1 truall dhe një makinë.

Të gjitha pronat ndodhen në kryeqytet, në zona si rruga e Kavajës, rruga e Kosovarëve, Selitë dhe zona të tjera.

Bistri po qëndron në qeli pasi u arrestua në kuadër të dosjes së ashtuquajtur Metamorfoza, ku nga komunikimet në rrjetin Sky, doli se kishte kontakte dhe dyshohet se favorizonte biznesmenin Pëllumb Gjoka, edhe ky i arrestuar.

Tv Klan