Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha do të vijojë të jetë “non grata” nga Mbretëria e Bashkuar, e cila e mori këtë vendim në Korrik të vitit 2022.

Ish-kryeministri humbi Apelin në “Komisionin Special të Apeleve të Emigracionit” në Londër, me Ministrinë e Punëve të Brendshme, “Home Office”.

Kryedemorkati kundërshtoi vendimin e “Home Office” pak ditë pas shpalljes të vendimit zyrtar, duke argumentuar se argumentet e shpalljes së tij ‘non grata’ nga Mbretëria e Bashkuar u bë në bazë të shpifjeve.

Berisha u shpall non grata për korrupsion dhe se ka lidhje me grupet kriminale, që paraqesin rrezik për sigurinë publike në Shqipëri dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Në vendimin e shpllajes non grata të Berishës“Home Office” deklaronte se: Raportimi i brendshëm tregon abuzimin e pushtetit të Berishës në emërimin e zyrtarëve të korruptuar, ndërhyrjen në sistemin gjyqësor të Shqipërisë për të mbrojtur vartësit nga hetimet dhe procedimet gjyqësore dhe përgjimin e paligjshëm të kundërshtarëve politikë. Raportimi i brendshëm ofron një pamje të qëndrueshme dhe të qartë të korrupsionit të përhapur gjatë gjithë periudhës së qeverisjes së Berishës, por veçanërisht në prag të zgjedhjeve të 2013-ës. Kjo u përdor për të çuar përpara interesat e tij, për të ndihmuar aleatët e tij dhe për të blerë mbështetje politike.

Vendimi i Britanisë së Madhe u mor një vit pasi Berisha u shpall “non grata” edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si i përfshirë në korrupsion dhe abuzim me pushtetin.

Aktualisht, Berisha është në “arrest shtëpie” prej dhjetorit të kaluar, i akuzuar se ka përdorur ndikimin e tij gjatë kohës që ishte Kryeministër në vitet 2005-2009 për privatizimin e ish-kompoleksit sportiv “Partizani” duke favorizuar dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi.

Akuza të cilat janë mohuar nga ish-Kryeministri, i cili vijon betejën me organet e drejtësisë për të hequr masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Klan News