Gjykata e Posaçme e Apelit rrëzoi kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, me anë të së cilës kundërshtonte pezullimin e afateve të paraburgimit, bërë në një nga seancat në themel në Shkallë të Parë.

Veliaj pretendon se shkak për shtyrjen e asaj seance nuk ishte ai dhe për këtë arsye, pezullimi i afateve për paraburgimin e tij është i paligjshëm. Por Apeli vlerësoi këtë të mërkurë se vendimi i ndërmjetëm është i ligjshëm.

Avokati i kryebashkiakut, Plarent Ndreca, e konsideroi si antikushtetues vendimin.

“Përkthehet në një zgjatje të afateve të paraburgimit në mënyrë kolektive. Pra, nga sjellja e një të pandehuri e pëson edhe një i bashkëpandehur, që në këndvështrimin tonë është një gjë absurde dhe antikushtetuese. Sigurisht, ne do t’i ndjekim të gjitha shkallët, deri në Gjykatën Kushtetuese dhe në Strasburg, për të zhbërë këtë lloj praktike e cila, siç thashë, është në cenim të plotë të lirive dhe të drejtave të njeriut.”

Për çështjen në ngarkim të Veliajt, bashkëshortes së tij dhe disa të pandehurve të tjerë, pritet të caktohet trupa e re gjykuese për të nisur gjykimin në themel me procedurë të zakonshme. Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese pranoi të marrë në shqyrtim, në bazë dokumentesh, një ankim të Ajola Xoxës, që kërkon shfuqizimin e vendimeve të kontrolleve dhe sekuestrimeve të kryera nga SPAK.

Tv Klan

/tvklan.al