Ish-ministri: Kam punuar më mirë se gjithë të tjerët

Pas më shumë se 2 vite përballje me drejtësinë, ish-Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri do të njihet me vendimin final të gjykatës më 24 Qershor. Trupi gjykues do të vendosë për fatin e Tahirit, nëse do të pranojë kërkesën e prokurorisë që e akuzën për tre vepra të rënda penale, do të shpallë fajtor për shpërdorimin e detyrës, ose ta japë pafajësinë”.

Në një seancë maratonë që zgjati më shumë se 5 orë e 30 minuta, në Gjykatën e Apelit Kundër Krimit dhe Korrupsionit, ish-Ministri Tahiri i cilësoi akuzat e prokurorisë të pabaza dhe kërkoi të shpallej i pafajshëm. Në krahun tjetër, prokuroria kërkoi dënimin me 12 vite burg për Tahirin, pasi e akuzon se bashkëpunoi me grupin e Habiljave për trafikim të lëndëve narkotike.

“Do ta pranoj vendimin e gjykatës. Ai është për t’u pranuar dhe për t’u zbatuar. Nëse do e quaj të drejtë do e them pasi ta shoh”. Besoj te drejtësia, por nuk ka rëndësi për mua nëse do të vijë drejtësia nga gjykata apo është drejtësia që besoj unë”.

Vendimin e shkallës së parë që e dënoi për shpërdorim detyre, Tahiri e konsideroi të papranueshëm.

“Jam super i bindur që kam bërë në çdo hap të punës sime gjënë e duhur, jo vetëm për akuzat e prokurorisë, por dhe akuzën që më ngjiti gjykata, akuzën e shpërdorimit të detyrës. Të jeni të bindur se e kam bërë më mirë detyrën se kushdo nga ata që ishin dhe ata që janë.”

Por a do të rikthehet në politikë nëse merr pafajësinë?

“Saimir Tahiri nuk ka ikur, kjo historia e politikës nuk më tundon sikur nuk më ka tunduar kur ika nga deputet për t’u përballur me drejtësinë”.

Tahiri u dënua me 5 vite burg për shpërdorim detyre në Shtator të vitit të kaluar, vendim që u konvertua me gjykim të shkurtuar në 3 vite e 4 muaj shërbim prove. Me të njëjtën akuzë u dënua me 3 vite e 4 muaj burg edhe ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, që gjithashtu në seancën e së enjtes kërkoi pafajësi.

Tv Klan