Gjykata e Posaçme e Apelit nuk mori në shqyrtim ankimin mbi pezullimin e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, duke pezulluar shqyrtimin gjyqësor deri në shprehjen e Gjykatës Kushtetuese.
Kjo e fundit e ktheu në detyrë Ballukun pas pezullimit nga Shkalla e Parë, me një vendim të ndërmjetëm, deri në daljen me një vendim përfundimtar, nëse një gjykatë mund të pezullojë anëtarë të qeverisë apo jo.
Nga ana tjetër, gjyqtarja Miliana Muça la në fuqi masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit për Ballukun.
Zëvendëskryeministrja nuk ishte e pranishme në këtë seancë, që nisi në orën 11 dhe zgjati për afro 4 orë, por u përfaqësua nga avokatët e saj. Për mediat, një prej tyre, Ardian Kalia, tha se SPAK nuk kishte sjellë në këtë gjykim prova të reja.
Vendimi i kësaj të enjteje la në fuqi edhe masat e sigurisë “Arrest në shtëpi” për Gentian Gjylin, kreun e ARRSH-së, dhe drejtorin e KESH-it, Erald Elezi.
SPAK, i cili në seancë kërkoi vijimin e masave të sigurisë të caktuara më herët nga Shkalla e Parë, i ka marrë tre zyrtarët në hetim për akuzën e “Shkeljes së barazisë në tendera”, kryer në bashkëpunim.
Ndërkohë, të martën, Prokuroria e Posaçme iu drejtua Kuvendit me kërkesën për heqjen e mandatit të deputetes për Ballukun, në mënyrë që të bëjë zëvendësimin e masës së saj në “Arrest në shtëpi” apo “Arrest në burg”.
Kërkesa do të merret në shqyrtim të premten në Komisionin e Mandateve dhe Imunitetit në orën 10:30.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 