Pas projektit “Mobike” të biçikletave inteligjente pa stacion në Tiranë, 500 skutera janë shpërndarë në kryqëzimet kryesore të Tiranës. Këto mjete ekologjike përdoren përmes aplikacionit “Bin Bin” dhe vijnë në ndihmë për lëvizjet e vogla brenda kryeqytetit, pa shkaktuar ndotje.

 “Çdo ditë, në qytet kryhen 800 mijë segmente me makinë. Ka shumë njerëz që përdorin motor dhe mjete të tjera, disa prej tyre ndotin, janë me benzinë dhe naftë. Ky mjet është 100% i pastër.”

Gjatë prezantimit të projektit, kryebashkiaku Veliaj tha se përdorimi i skuterave duhet të bëhet duke respektuar rregullat e qarkullimit rrugor.

“Duhet të respektojmë sigurinë dhe përdorimi i kokores është absolutisht i nevojshëm dhe i këshillueshëm. Ky nuk është një mjet akrobatik. Është shumë e rëndësishme që të zbatojmë atë që quhet demokracia e rrugës. “

Hedhja në përdorim e aplikacionin “Bin Bin” vjen në një kohë kur Tirana vizitohet nga një numër i lartë turistësh të cilët gjatë qëndrimit në kryeqytet zgjedhin të lëvizin krahas shërbimit urban e biçikletave edhe me skuter. Për ruajtjen e 500 skuterave nga vandalizmi Bashkia e Tiranës do të bashkëpunojë edhe me Policinë e Shtetit, Policinë Rrugore si dhe Policinë Bashkiake.

Tv Klan