Objektivi i Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian brenda vitit 2030, për Arber Gashin, deputetin shqiptar në parlamentin suedez, është mëse i realizueshëm. Në një intervistë për Klan News, Gashi tha se Stokholmi mbështet Tiranën, por duhet të punohet me çuarjen përpara të reformave, përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe krijimin e institucioneve të besueshme.

“Shqipëria në BE në 2030 besoj është e kapshme. Jo vetëm qëndrimi im personal, por edhe i shtetit suedez është që ne jemi aleatë të Shqipërisë, punojmë bashkërisht në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian. Shqipëria po ecën me hapa të sigurta, por ka ende punë për të bërë. Mos t’i shmangen punës në vijim për reformat, sa i përket lirisë së medias, luftës kundër korrupsionit, por edhe krijimit të institucioneve të besueshme dhe rritjes së standardeve të jetesës”.

Gashi foli edhe për ndryshimin e imazhit të Shqipërisë në botë gjatë viteve të fundit, ku rol thelbësor sipas tij ka pasur edhe diaspora shqiptare.

“Shoh një transformim të imazhit të shqiptarëve, sidomos 10-15 vitet e fundit. Sot jemi një popull me kokë lart, nuk i shmangim kurrë pyetjes nga jemi. Shoh një rritje dhe nuk është vetëm arritje politike apo lokale e Shqipërisë apo Kosovës, por edhe e diasporës, duke zënë vend e duke punuar me krenari dhe përgjegjësi në çdo vend”.

Samitin e katërt të diasporës që po zhvillohet në Tiranë, e konsideron një dritare të rëndësishme dialogu dhe shkëmbimi idesh.

“Por a shoh veten në politikën aktive në Shqipëri?” “Jo, të jem i sinqertë, jo në atë mënyrë, por do isha i nderuar nëse do vija në Tiranë ose Prishtinë me një mandat suedez, por nuk i dihet”.

Për tre ditë me radhë, samiti i diasporës bëri bashkë në Tiranë më shumë se 1 mijë shqiptarë nga 38 shtete të ndryshme të botës, të cilët ndanë mes tyre ide, eksperienca dhe përvoja për të rritur rolin e diasporës si partner aktiv në zhvillimin ekonomik, shoqëror dhe institucional të vendit.

Klan News

/tvklan.al