Në moshën 78-vjeçare dhe pas 63 sezonesh radhazi në fushën e blertë, uellsiani Ken Wright mban titullin e arbitrit më të vjetër në aktivitet në botë.

Karriera e tij e jashtëzakonshme numëron më shumë se 5 mijë ndeshje të gjykuara pa ndërprerje që nga viti 1964. Gjithçka nisi krejt rastësisht kur ishte vetëm 16 vjeç, pasi mësuesi i edukimit fizik i sugjeroi të provonte bilbilin për shkak të nivelit të ulët si futbollist.

Debutimi i tij në Ligën e të Rinjve të Swansea-t ishte një makth i vërtetë i mbyllur me rezultatin 13-4 mes shiut të dendur dhe protestave të lojtarëve.

Kjo përvojë e parë e hidhur e shtyu Wright të mendonte menjëherë dorëheqjen nga arbitrimi. Përkundër fillimit kaotik, gjyqtari uellsian nuk u ndal më kurrë, duke arritur të drejtojë deri në shtatë ndeshje brenda gjashtë ditëve.

Sot e kësaj dite, pas më shumë se gjashtë dekadash, ai vazhdon të futet në fushë pa asnjë synim për t’u tërhequr nga profesioni.

/tvklan.al