Argjentina e mbyll me autoritet fazën e grupeve të Botërorit 2026. Kampionët në fuqi fituan 3-1 ndaj Jordanisë në Dallas, duke regjistruar suksesin e tretë radhazi dhe duke siguruar vendin e parë në Grupin J me 9 pikë të plota. Trajneri Lionel Scaloni bëri nëntë ndryshime në formacion, ndërsa Lionel Messi e nisi sfidën nga stoli. Megjithatë, diferenca në cilësi u pa menjëherë. Giovani Lo Celso zhbllokoi rezultatin në minutën e 19-të me një goditje dënimi spektakolare, ndërsa Lautaro Martínez dyfishoi shifrat nga pika e bardhë.

Jordania rihapi ndeshjen në fillimin e pjesës së dytë me Al Tamarin, por hyrja në fushë e Lionel Messit në minutën e 60-të ndryshoi ritmin e takimit. Dhjetë minuta para fundit, kapiteni argjentinas realizoi një tjetër perlë nga goditja e lirë, duke vulosur fitoren 3-1. Ky ishte goli i tij i gjashtë në këtë Botëror dhe i shtati radhazi në ndeshjet e Kupës së Botës, një rekord i ri në historinë e turneut. Në fazën tjetër, më 4 korrik, Argjentina do të përballet me Kepin e Gjelbër.

Emocione të mëdha u panë edhe në ndeshjen tjetër të Grupit J mes Algjerisë dhe Austrisë, e mbyllur me rezultatin spektakolar 3-3 në Kansas City. Austria kaloi e para në avantazh në minutën e 28-të me Arnautovic, por Algjeria reagoi dhe në minutën e 45-të erdhi goli i barazimit me Belghali, duke e mbyllur pjesën e parë në ekuilibër.

Në pjesën e dytë, Sabitzer shënoi golin e dytë për austriakët, ndërsa Mahrez realizoi golin e barazimit 2-2 në minutën e 60-të. Por ndeshja nuk u ndal këtu. Në minutën e tretë shtesë, Mahrez shënoi edhe për 3-2, rezultat që përkohësisht eliminonte Austrinë, por në sekondat e fundit, Kalajdžić vendosi shifrat në 3-3, duke i dhënë kualifikimin të dyja skuadrave.

Austria e mbylli grupin në vendin e dytë me 4 pikë dhe në fazën e ardhshme do të përballet me Spanjën më 2 korrik, ndërsa Algjeria u kualifikua si një nga ekipet më të mira të vendeve të treta dhe më 3 korrik do të sfidojë Zvicrën.

Klan News

/tvklan.al