Prania e Shqipërisë në panairin ndërkombëtar MIPIM 2026 në Kanë të Francës ka shënuar një moment historik për vendin tonë. Mbi 80 projekte të prezantuara në pavijonin shqiptar dhe një konstatim i përbashkët nga arkitektët më të famshëm ndërkombëtarë: Shqipëria po shndërrohet në “yllin e ri të Mesdheut”, një destinacion që po kalon një transformim të shpejtë duke ruajtur ekuilibrin thelbësor midis zhvillimit dhe respektit për natyrën.
Arkitektët e njohur spanjollë, belgë e italianë, të pranishëm në pavijonin shqiptar, kanë qenë unanim në vlerësimin e tyre për potencialin e jashtëzakonshëm të vendit tonë. Ajo që ka mbetur në memorien e tyre është pozicioni gjeografik strategjik i Shqipërisë në Mesdhe, stabiliteti ligjor dhe qeveritar, por mbi të gjitha, vizioni për një zhvillim afatgjatë dhe të qëndrueshëm që synon krijimin e një turizmi gjithëvjeçar dhe struktura të përgatitura për sfidat klimatike të së ardhmes.
Arkitekti Flavio Tejada Gorraiz e ka renditur pavijonin shqiptar në tre më të mirët e panairit. Ai e lidh këtë sukses me bashkimin e të gjithë aktorëve, zhvilluesve dhe administratës, në një qëllim të përbashkët për ecjen përpara të vendit.
Për të, suksesi i Shqipërisë qëndron te rëndësia që i kushtohet arkitekturës dhe dizajnit, duke sjellë disa nga projektuesit më të mirë në Evropë dhe në botë. Ai thekson se arkitektura mund të transformojë cilësinë e jetës dhe të vendit në tërësi. Gorraiz e sheh Shqipërinë në momentin e duhur historik për të zhvilluar një model të qëndrueshëm investimesh, duke marrë mësimet nga përvojat e vendeve të tjera mesdhetare.
Ai vlerëson se cilësia e peizazheve është pjesë e ADN-së shqiptare dhe duhet të mbetet në qendër të çdo zhvillimi arkitektonik. Por ajo që e veçon Shqipërinë, sipas tij, është bashkëpunimi i ngushtë mes sektorit privat dhe atij publik, duke shmangur qasjet konfrontuese që shihen në vende të tjera. Ai vlerëson veçanërisht modelin e partneritetit me arkitektët dhe inxhinierët vendas, duke e cilësuar atë si një shkëmbim të vlefshëm njohurish ku të dyja palët mësojnë nga njëra-tjetra.
Francisco Luque: Stabilitet ligjor dhe mundësi fantastike për investitorët
Arkitekti Francisco Luque nga Madridi, i pranishëm në MIPIM 2026 me projekte në Himarë dhe Tiranë, e sheh Shqipërinë si një destinacion të jashtëzakonshëm për investime. Ai e krahason potencialin e vendit tonë me atë të Turqisë 10-15 vjet më parë, duke theksuar se Shqipëria ofron një mundësi fantastike për investitorët e huaj falë stabilitetit ligjor.
Ajo që e veçon Shqipërinë, sipas tij, është integrimi i mahnitshëm i zhvillimeve me natyrën, pa qenë agresive. Ai thekson se në ditët e sotme nuk ka shumë vende si Shqipëria përsa i përket aftësisë për të bërë investime të qëndrueshme në asete rezidenciale, mikpritëse dhe komerciale.
Giuseppe Farris: Kur peizazhi bëhet skenë
Arkitekti belg me origjinë italiane, Giuseppe Farris, i pranishëm në MIPIM 2026 me një projekt në Vlorë, e përshkruan qytetin bregdetar si një vend fantastik ku peizazhi u bë skena dhe frymëzimi kryesor. Ai e sheh të ardhmen e Shqipërisë jo si një premtim, por si diçka që tashmë po ndodh – një energji e jashtëzakonshme arkitekturore ku talentet vendase dhe ndërkombëtare punojnë së bashku për të kontribuar në territorin shqiptar. Farris e sheh këtë si një mundësi të jashtëzakonshme për Evropën dhe botën për të parë se kjo është e mundur.
Një element kyç që ka tërhequr vëmendjen e arkitektëve të huaj është fryma e bashkëpunimit midis sektorit privat dhe atij publik, si dhe partneriteti i suksesshëm midis arkitektëve të huaj dhe atyre vendas. Ky shkëmbim i vlefshëm dijeje po e kthen Shqipërinë në një laborator të gjallë të arkitekturës bashkëkohore evropiane.
Edhe arkitektët shqiptarë e shohin këtë bashkëpunim si një përvojë të jashtëzakonshme. Ata theksojnë se kontributi i tyre lokal është i pazëvendësueshëm për të përcjellë tek të huajt kontekstin, kulturën dhe specifikat e territorit shqiptar. Kjo sinergji nuk ka sjellë vetëm rritje të cilësisë së ndërtimeve, por ka ndikuar pozitivisht duke krijuar një standard të ri jetese dhe duke e bërë Shqipërinë gjithnjë e më konkurruese në arenën ndërkombëtare.
/tvklan.al












Botërori 2026 