Raportim Live

Pasiguri në Ngushticën e Hormuzit

Edhe pse SHBA-të dhe Irani deklarojnë se Ngushtica e Hormuzit është e hapur, rrjedha normale e anijeve ende nuk është rikthyer.

Sipas profesorit Abdulla Al-Etaibi, disa anije janë penguar të kalojnë, duke krijuar paqartësi. Kërkesa e Iranit për koordinim të lëvizjeve po shton shqetësimet. Situata mbetet e pasigurt për vendet e Gjirit.

Katari dhe Turqia mbështesin përpjekjet diplomatike të Pakistanit

Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, dhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, u takuan me kryeministrin e Pakistanit, Shehbaz Sharif.

Ata diskutuan përpjekjet ndërkombëtare për uljen e tensioneve dhe avancimin e zgjidhjeve diplomatike.

Katari dhe Turqia vlerësuan rolin e Pakistanit dhe shprehën mbështetjen e tyre për iniciativat e tij. Takimi u zhvillua në kuadër të Antalya Diplomacy Forum.

download app

Hapja e Ngushticës së Hormuzit, reagon OKB

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, ka mirëpritur njoftimin për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.

Ai e cilësoi këtë zhvillim si një “hap në drejtimin e duhur”. Guterres shprehu shpresën se kjo do të sjellë më shumë besim mes palëve.

Sipas tij, ulja e tensioneve në këtë zonë është e rëndësishme për stabilitetin ndërkombëtar.

FOTOT/ Të zhvendosurit nga Libani kthehen në shtëpi

Mediat ndërkombëtare kanë publikuar fotografi, ku tregohet se shumë persona po kthehen në Liban, pasi ishin larguar prej aty nga lufta.

Armëpushimi me Izraelin ka bërë, që shumë persona të kthehen. Ndërsa, shumë të tjerë nuk janë kthyer, duke qenë mosbesues tek ky armëpushim.

“Jemi afër marrëveshjes me Iranin”

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se nuk ka më “pika pengese” për arritjen e një marrëveshjeje me Iranin.

Ai tha se palët janë shumë pranë një dakordësie që mund të jetë pozitive për të gjithë.

Sipas tij, progresi lidhet edhe me çështje si armëpushimi në Liban dhe hapja e Ngushticës së Hormuzit. Zyrtarët iranianë nuk i kanë konfirmuar ende këto deklarata.

Irani mbetet optimist: Armëpushimi në Liban hap rrugën për paqe rajonale

Ambasadori iranian në Pakistan, Reza Amiri Moghadam, deklaroi se armëpushimi në Liban dhe hapja e diskutimeve për Ngushticën e Hormuzit krijojnë kushte për një marrëveshje më të gjerë rajonale.

Ai theksoi rolin e diplomacisë dhe nismave të Pakistanit për arritjen e paqes së qëndrueshme. Sipas tij, besimi, respekti dhe bashkëpunimi mes vendeve janë kyç për të kapërcyer sfidat. Moghadam shtoi se kjo mund të sjellë siguri kolektive dhe zhvillim për rajonin.

Izraeli thyen armëpushimin, vret me dron 1 person në Liban

Një person është vrarë në jug të Libanit pasi një dron izraelit goditi një motor në Beit Yahoun.

Sipas Mbrojtjes Civile, sulmi ndodhi, pavarësisht armëpushimit 10-ditor në fuqi. Ngjarja vë në pikëpyetje respektimin e marrëveshjes dhe deklaratat për ndalimin e bombardimeve.

Irani njoftoi hapjen e Hormuzit, Trump: Bllokada jonë detare vazhdon deri kur të kemi marrëveshje

Donald Trump ka postuar sërish në platformën e tij Truth Social.

Këtë herë, ai thotë se bllokada e SHBA-ve ndaj anijeve dhe porteve iraniane do të “mbetet plotësisht në fuqi”, pavarësisht njoftimit të Iranit se Ngushtica e Hormuzit po rihapet për lundrim.

Trump thotë se bllokada amerikane do të vazhdojë derisa negociatat me Iranin të jenë “100% të përfunduara”.

Megjithatë, presidenti amerikan shton se pret që ky proces të “ecë shumë shpejt”, pasi “shumica e pikave tashmë janë negociuar”.

Mesazhet e Trump sot vijnë pas raportimeve të djeshme se ai dëshironte t’i jepte fund luftës, ndërsa presioni politik në vend po rritet ndaj tij.

Ndërkohë, edhe pse negociatat mes Iranit dhe SHBA-ve u ndërprenë fundjavën e kaluar në Islamabad, të dy vendet pritet t’i rifillojnë bisedimet përpara skadimit të armëpushimit më 22 prill.

Pika kryesore e mosmarrëveshjes mes SHBA dhe Iranit mbetet çështja e pasurimit të uraniumit nga Teherani.

10 ditë armëpushim mes Izraelit e Libanit, Irani hap Ngushticën e Hormuzit

Ministri i Jashtëm i Iranit ka deklaruar se Ngushtica e Hormuzit është plotësisht e hapur për periudhën e mbetur të armëpushimit.

Seyed Abbas Aragchi tha se ky veprim do të përfshijë kalimin e “të gjitha anijeve tregtare” përmes ngushticës.

“Në përputhje me armëpushimin në Liban, kalimi për të gjitha anijet tregtare përmes Ngushticës së Hormuzit shpallet plotësisht i hapur për periudhën e mbetur të armëpushimit, në rrugën e koordinuar siç është njoftuar tashmë nga Organizata e Porteve dhe Detarisë e Republikës Islamike të Iranit”, ka shkruar Seyed Abbas Aragchi.

Megjithatë, duhet theksuar se Irani më parë ka deklaruar se ngushtica është e hapur për vendet që bashkëpunojnë me ushtrinë e tij.

Nuk është e qartë nëse bllokada e SHBA-ve ndaj porteve iraniane vazhdon pas vendimit të Iranit.

Lufta e Iranit vonon armët amerikane

Disa dërgesa armësh nga shtetet e Bashkuara drejt vendeve evropiane, mund të vonohen për shkak të konsumimit të rezervave ushtarake gjatë luftës në Iran.

Konflikti, që nisi në fund të shkurtit, ka rritur ndjeshëm kërkesën për armë dhe municione kritike, duke ndikuar në aftësinë e SHBA-ve për të përmbushur kontratat ekzistuese.

Sipas raporteve të Reuters, vonesat pritet të prekin disa vende evropiane, përfshirë rajonet e Baltikut dhe Skandinavisë, të cilat kanë porositur armë përmes programit të shitjeve ushtarake për vendet e huaja.

Ky program u mundëson shteteve të huaja të blejnë pajisje ushtarake amerikane me miratim dhe mbështetje logjistike nga Uashingtoni. Megjithatë, dërgesat shpesh janë të ngadalta, duke shkaktuar frustrim tek qeveritë evropiane, të cilat po shqyrtojnë gjithnjë e më shumë alternativa të prodhimit vendor.

Administrata Trump ka nxitur aleatët e NATO të rrisin blerjet e armëve amerikane dhe të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e tyre. Megjithatë, zyrtarët amerikanë argumentojnë se prioritet aktual mbetet furnizimi i operacioneve në Lindjen e Mesme dhe mbrojtja e interesave strategjike, duke përfshirë sigurinë në Ngushticën e Hormuzit.

Presioni mbi rezervat amerikane nuk është i ri. Që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022 dhe operacionet ushtarake të Izraelit në Gaza në vitin 2023, SHBA-të kanë përdorur miliarda dollarë në armatime, përfshirë sisteme artilerie dhe raketa antitank. Në konfliktin aktual, Teherani ka lëshuar qindra raketa dhe dronë, të cilët janë kapur kryesisht nga sisteme amerikane.

Në këtë kontekst, vonesat e dërgesave po krijojnë sfida të reja sigurie për Evropën, sidomos për vendet pranë Rusisë, duke e bërë çështjen edhe më të ndjeshme nga pikëpamja strategjike.