Ky është momenti kur Altin Ndoci, 39-vjeçari i paraburgosur, arratiset nga Spitali Rajonal i Durrësit, ku ishte shoqëruar mëngjesin e kësaj të marte nga policia e burgjeve.

Foto është fiksuar nga kamerat e sigurisë, teksa 39-vjeçari largohet me vrap nga spitali ku kishte shkuar për të kryer disa vizita mjekësore në repartin infektiv, që sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve ka edhe pavionin e sigurisë për të dënuarit.

Sapo ka përfunduar kontrollet, Ndoci ka mundur të shpëtojë në rrethana ende të paqarta, duke u arratisur, ndonëse forcat e policisë së burgjeve që e shoqëronin kanë tentuar ta ndalin.

Kjo foto është fiksuar nga një kamera amatore vetëm pak momente pasi 39-vjeçari ishte larguar, ku duken punonjës të policisë teksa kontrollojnë për gjetjen e tij fare pranë Spitalit të Durrësit.

Sipas burimeve, pasi ka lënë ambientet e spitalit, Altin Ndoci ka përdorur një makinë tip Audi A7 për t’u larguar. Dyshimet janë se ky automjet ka qenë në pritje të 39-vjeçarit.

Ky i fundit konsiderohet nga autoritetet si një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Ndoci, i arrestuar prej vitit 2020, mbahej i paraburgosur në burgun e Durrësit.

Fillimisht ai u arrestua 6 vite më parë për dy ngjarje të rënda kriminale, me 4 të vrarë. Konkretisht, ekzekutimin e Anxhelo Avdiajt dhe Dorian Shkozës, si dhe dy vëllezërve Viktor e Besmir Haxhia në Durrës.

Por këto akuza nuk u provuan ndaj 39-vjeçarit, i cili mundi të fitojë pafajësi pas disa vitesh.

Pavarësisht kësaj, ai vijon të mbahet në burg, pasi gjatë këtyre viteve emri i tij ka rezultuar i implikuar në disa ngjarje. Fillimisht Ndoci po gjykohet për vrasjen e Andi Zylyfit në 2019 dhe plagosjen e një personi tjetër, ngjarje kjo e zbardhur nga Prokuroria e Posaçme.

Ndërkohë, pak muaj më parë, akuza të tjera u ngritën ndaj 39-vjeçarit, kësaj here për disa ngjarje kriminale të organizuara nga grupi Çopja. Bëhet fjalë për tetë ngjarje kriminale, mes tyre dy vrasje: Masakrën e Bradasheshit në 2018 në Elbasan, ku mbetën të vrarë Endrit Alibej, Arben Dylgjeri dhe shtetasi turk Erdal Duranay. Vrasjen e Klevin Bahos dhe plagosjen e kushëririt të tij, Aldo Baho.

Për kapjen e 39-vjeçarit Ndoci, Policia e Shtetit ka ngritur pika kontrolli ne hyrje të qytetit të Kavajës dhe atë të Tiranës. Ndërkohë për arratisjen e tij Drejtoria e Burgjeve ka pezulluar nga detyra të gjithë zinxhirin komandues të burgut të Durrësit, ku mbahej i paraburgosuri prej vitesh.

Tv Klan

/tvklan.al