Shtatë punonjës policie të Komisariatit Nr.1 në Tiranë po hetohen në gjendje të lirë dhe janë proceduar penalisht pas arrisjes nga ky komisariat i 30-vjeçarit Riljon Lala një ditë më parë.

Lala ishte arrestuar para 3 ditësh për armëmbajtje pa leje në rrugën “Bardhyl”. Por dje do të dilte për masë sigurie në gjykatë. Disa orë përpara masës së sigurisë, ai u arratis nga komisariati.

SHÇBA njofton se 7 policët që po hetohen janë:

Inspektor M.B., 60 vjeç, Trupë Shërbimi në Seksionin e Ruajtjes së Rendit dhe Patrullës së Përgjithshme;

Inspektor M.Xh., 53 vjeç, Nd/specialist në Zyrën e Informacionit të Komisariatit të Policisë Nr.1 Tiranë;

Inspektor Gj.F., 51 vjeç, Nd/specialist në Zyrën e Informacionit të Komisariatit të Policisë Nr.1 Tiranë.

Inspektor A.D., 51 vjeç, Përgjegjës në Dhomat e Paraburgimit të Komisariatit të Policisë Nr.1 Tiranë;

Komisar R.Sh.,45 vjeç, Shef i Seksionit të Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr.1 Tiranë;

N/Komisar Gj.Gj., 47 vjeç, Specialist i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr.1 Tiranë.

Inspektor F.K., 50 vjeç, Laborant i Policisë Shkencore në Komisariatin e Policisë Nr.1 Tiranë.

Ata dyshohet se kanë shkelur procedurat standarde të punës të vendosura për rastet e shoqërimit të të arrestuarve/ndaluarve nga Dhomat e Izolimit në ambiente të tjera, duke mos zbatuar me korrektësi dhe duke sjellë si pasojë largimin e shtetasit R.L.

Duke qenë në rolin e menaxherit ata kanë përgjegjësi për ushtrimin e kontrolleve dhe forcimin e disiplinës për zbatimin e rregullores së shoqërimit të të arrestuarve/ndaluarve në dhomat e shoqërimit, gjatë lëvizjes së tyre.

Në cilësinë e laborantit kriminalist, ka përgjegjësi të respektojë kërkesat e procedurave standarde gjatë marrjes së gjurmëve të gishtave në ambientet e Komisariatit ndaj shtetasve të arrestuar.

Materialet janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Tiranë për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, në gjendje të lirë, duke iu referuar çdo funksioni për detyrat e shkelura dhe për pasojën e ardhur.

Veprimtaria hetimore vijon në lidhje me dinamikën e mëtejshme të hetimit, duke synuar vlerësimin mbi detyrimet ligjore dhe përgjegjësitë e çdo punonjësi policie në çdo nivel bazuar në situatën konkrete, si dhe duke vlerësuar shkallën e mundshme të implikimit të strukturave, nëse ka patur të tillë. /tvklan.al