Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Drejtoria Rajonale Shkodër-Lezhë) ka arrestuar në flagrancë katër punonjës policie, të dyshuar për “shpërdorim detyre”.

Sipas AMP-së, hetimet nisën menjëherë pasi u mor informacioni se shtetasi Hasan Verracaku, i cili ishte në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, nuk u gjet në banesën ku duhej të mbahej nën mbikëqyrje.

Pas kryerjes së veprimeve hetimore dhe procedurale, specialistët e Agjencisë arrestuan katër efektivët e policisë, të cilët dyshohen se kanë shpërdoruar detyrën në lidhje me mbikëqyrjen e personit nën masë sigurie.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, e cila do të vijojë me veprimet e mëtejshme hetimore.

Në reagimin e saj, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore thekson se mbetet e angazhuar në mbrojtjen e ligjit, integritetit institucional dhe forcimin e besimit të qytetarëve te institucionet e sigurisë.

/tvklan.al