Arresti me burg do të jetë masa e fundit që gjykatat duhet të aplikojnë për personat e marrë nën hetim dhe ajo do të vendoset vetëm pasi gjykatat të kenë shqyrtuar të gjitha alternativat e tjera. Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, në një përbërje prej 16 gjyqtarësh, vendosën unanimisht ta ndryshojnë mënyrën se si do të jepet tani e tutje kjo masë.
Sipas vendimit, gjykatat nuk mund të mjaftohen më me formulime të përgjithshme nga kërkesat e prokurorisë, por çdo kufizim i lirisë tashmë kërkon një arsyetim konkret dhe një analizë reale të alternativave më të lehta. Së pari, gjykata ka detyrimin ligjor të shpjegojë shprehimisht pse masat si arresti në shtëpi apo detyrimi për paraqitje nuk mjaftojnë për personin nën hetim.
“Gjykata ka detyrimin të shqyrtojë realisht masat më pak kufizuese të lirisë personale dhe të arsyetojë shprehimisht përse ato nuk janë të mjaftueshme në rastin konkret. Ky arsyetim duhet të jetë i individualizuar, i mbështetur në fakte dhe i lidhur drejtpërdrejt me rrethanat konkrete të çështjes”, kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi.
Së dyti, sipas Kolegjeve të Bashkuara, rrezikshmëria e veprës nuk mjafton më për të vendosur arrestin me burg. Prokuroria duhet të provojë rrezikshmërinë e autorit duke u bazuar te sjellja, personaliteti dhe rrethanat familjare, dhe jo vetëm te vitet e burgut që parashikon vepra penale përkatëse.
“Masa ‘arrest në burg’ ka natyrë përjashtimore dhe mund të vendoset vetëm kur masat e tjera janë të papërshtatshme. Rrezikshmëria e veprës dhe e autorit nuk mund të nxirret vetëm ose kryesisht nga natyra e veprës penale apo nga marzhi i dënimit, por duhet të mbështetet në një vlerësim konkret të rrethanave të çështjes, mënyrës së kryerjes së veprës, pasojave, personalitetit, sjelljes dhe të dhënave personale e familjare të personit ndaj të cilit kërkohet masa”, shtoi Sadushi.
Së treti, barra e provës mbetet totalisht te prokuroria dhe gjykata duhet ta verifikojë atë në çdo fazë të procedimit. Një person nuk mund të qëndrojë në qeli me arsyetimin se nuk ka sjellë prova që është i pafajshëm, por sepse akuza argumenton nevojën e izolimit në çdo fazë të hetimit.
“Barra e justifikimit të nevojës për caktimin dhe vijimin e masës ‘arrest në burg’ i takon prokurorisë. Gjykata ka detyrimin ta verifikojë dhe ta arsyetojë këtë nevojë në çdo fazë të procedimit. Vendimmarrja e saj nuk mund të kushtëzohet nga paraqitja ose jo e ‘provave pozitive’ nga i pandehuri”, vijoi kreu i Gjykatës së Lartë.
Ky hap i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë vjen si një nismë e Kryetarit të saj për të garantuar një praktikë të njëtrajtshme dhe për t’i dhënë fund praktikave ku “arresti në burg” kthehej në rregull e jo në përjashtim.
Kolegjet e Bashkuara arsyetojnë se vendimi vjen në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, me Kushtetutën dhe Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, duke vendosur në qendër garancitë e lirisë personale dhe nevojën për një kontroll gjyqësor real, konkret dhe proporcional. Vendimi nxjerr në pah faktin se liria personale është parësore dhe burgu duhet të jetë vetëm masa e fundit, kur asnjë mjet tjetër nuk garanton dhënien e drejtësisë.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 