Në reagimin e parë publik për arrestimin e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të bashkisë së Tiranës. Kryeministri Edi Rama ndan të njëjtin qëndrim me Erion Veliajn. 

Kryeministri Edi Rama: S’mund të jem më shumë dakord me sa u tha sot kryebashkiaku Erion Veliaj qytetarëve të Tiranës, në mesazhin e drejtëpërdrejtë lidhur me ndalimin nga SPAK-u të disa ish-drejtorëve e drejtorëve të bashkisë!

Kryeministri një mesazh e pati edhe për akuzuesit pa fakte dhe propaganduesit që shpifin mbi çështjet e drejtësisë.

Kryeministri Edi Rama: Mendësia e vjetër komuniste, fatkeqësisht ende shumë e pranishme në mënyrën e të parit të tjetrit si armiku që duhet shkatërruar, nakatosur me thashetheme kafenesh, mllefe interesaxhinjsh dhe interesa gjobaxhinjsh, nëpër ekrane e portale që u ngjajnë tabelave të fletë-rrufeve të komunizmit, prodhon përditë baltë e helm me çështjet e drejtësisë! Po kësaj s’kemi ç’i bëjmë për sa kohë shpifjet e politikanëve dhe denigrimet e killerave mediatikë,  janë bërë pjesë e jetës sonë publike të kthyer në një xhungël ku s’e merr vesh i pari të dytin, ku nuk debatohet me argumenta po vetëm propagandohet me akuza e bërtitet për të mos lënë tjetrin të flasë.

Kreu i qeverisë deklaroi se moskomentimi sa herë drejtësia godet brenda ekzekutivit, pavarësisht nivelit nuk është frikë, por mbështetje e plotë ndaj drejtësisë së re.

Kryeministri Edi Rama: Por ky i sotmi është përsëri rasti për të thënë me zë të lartë, se mbështetja jonë për SPAK-un nuk është propagandë, po vullnet i hekurt politik; qëndrimi ynë pa koment, sa herë SPAK-u godet brenda strukturave të ekzekutivit në çdo nivel, nuk është strukje, as frikë, po shprehje shembullore e vijës së kuqe mes nesh, partisë që qeverisë e udhëheq Reformën në Drejtësi dhe Drejtësisë së Re që ka të gjithë mbështetjen tonë; goditjet e SPAK-ut ndaj kujtdqoftë në radhët e ekzekutivit, në çdo nivel të qeverisjes, që ka shkelur ligjin dhe ka tradhëtuar misionin tonë në shërbim të këtij vendi e të këtij populli, ne nuk i përjetojmë si gjëma, as si fajësi kolektive, po si një ndihmë të paçmuar në një luftë kundër korrupsionit, të cilën deri dje nuk e bënim dot sa e si duhej, pikërisht sepse mungonte krahu i drejtësisë së pavarur!

Një përgjigje u dha edhe akuzave se Prokuroria e Posaçme dirigjohet nga qeveria dhe kryeministri duke deklaruar se shpifësit na fusin të tërëve në çdo thes korrupsioni që hapet nga SPAK-u.

Kryeministri Edi Rama: Ne as nuk e kontrollojmë SPAK-un, as nuk kemi ndërmend të ndryshojmë qasjen fuqimisht mbështetëse për SPAK-un, as nuk komentojmë çfarëdoqoftë lidhur me vërtetësinë e akuzave të SPAK-ut, për këdoqoftë që SPAK-u merr të pandehur dhe as nuk kemi asnjë lidhje me dokrrat e segmentit politik e mediatik, që prodhon përditë baltë e helm në seanca parlamentare, shfaqje televizive e kanale digjitale, ku lloj-lloj pjellash të mendësisë së errët inkuizicionale, na bëjnë gjyqe si ato të komunizmit, duke u përpjekur të na fusin të tërëve në çdo trastë e thes korrupsioni që hapet nga SPAK-u!

Duke projektuar Shqipërinë Europiane 2030, kryeministri inkurajoi drejtësinë që të mos ndalet në misonin e saj pavarësisht flamurit politik që mban duke u ndarë një herë e mirë nga mendësia e pandëshkueshmërisë së personave me pushtet politik.

Kryeministri Edi Rama: Qentë le të lehin, Shqipëria do të shkojë përpara, me qeverinë e Partisë Socialiste që do të ecë vetëm përpara, me Drejtësinë e Re që duhet të vazhdojë vetëm përpara, pa i lënë kusur askujt që përdor flamujt e partive, majtas e djathtas, lart apo poshtë, për të nxjerrë përfitime të paligjshme për veten a të afërmit e vet, duke punuar për shtetin me një xhep të dukshëm për të ardhurat nga puna dhe me një xhep të fshehtë për paratë e marra me korrupsion.

Klan News