“Do ketë ashpërsim të masave kundër Covid”

Edi Rama e çeli konferencën e përjavshme për shtyp me lajmin e arrestimit të infermiereve dhe sanitareve të përfshira në mitmarrje e që për të është një lajm shumë pozitiv por që duhet parë si rast i izoluar që nuk duhet të njollosë të gjitha bluzat e bardha.

“Është një mesazh i qartë për qytetarët që nuk duhet të ngurrojnë të denoncojnë , në çfarë burimi ata e shohin të arsyeshme. Dua të falenderoj dhe njëherë mediat investigative por të gjithë punën që bëjnë dhe veçanërisht në këtë rast. Është një mesazh i qartë për të gjithë bluzat e bardha. Është një pakicë e mjaftueshme për të ndotur bluzat e bardha dhe për të ndotur rrugën e transformimit për rrugën e tyre. Është një mesazh i qartë dhe për të ardhmen, pasi unë besoj se kura afatgjatë dhe e suksesshme për të shëruar korrupsion është thellimi i reformën në shëndetësi”.

Një tjetër fenomen që vihet re në komunikimet telefonike të të shtruarës në spitalin Shefqet Ndroqi është mungesa e ushqimit apo sigurimi i ushqimeve nga jashtë nga vetë familjarët. Ministrja pohon se është gjetur si mjet komunikimi mes pacientëve dhe të afërmve të tyre lejimi i ushqimit gjatë pandemisë dhe asesi nuk ka mungesën e ushqimeve në spitale.

“Çfarë ka ndodhur na ka bërë për të reflektuar dhe të marrim masa të mëtejshme për të bërë një sistem të kontrollit segmentar në të gjitha hallkat e shërbimit infermieror dhe mjekësor dhe patjetër sa i përket korrektësisë së ofrimit të shërbimit, kjo nuk vihet në dyshim, se raste të tilla nuk mund të hedhin poshtë punën e madhe të stafeve mjekësore”.

Kryeministri lajmëron ndryshim të masave nga Komiteti i Ekspertëve dhe përsërit se do të rritet niveli i gjobave për bizneset dhe ata që nuk respektojnë protokollet anti-Covid.

Do të ketë një shtrëngim të masave. Komiteti i Ekspertëve do të mblidhet nesër do të diskutojnë. E kemi diskutuar. Por ata thonë se nëse respektohen masat kanë efekt”.

Ashpërsim të gjobave dhe kontrolleve paralajmëron dhe për politikanët.

“Do të shikojmë edhe sanksionet për partitë politike pa asnjë përjashitm. Çdo lloj denoncimi që do të bëhet publik nga çdo lloj takimi i kujtdoqoftë do të ndëshkohet, dhe do ndëshkohet personalisht me gjobë ai që i bën këto takime. Unë personalisht jam shumë strikt për veten time dhe nuk ka arsye që të tjerët mos të bëjnë të njëjtën gjë se nuk është ndonjë çudi, është thjesht të zbatosh ligjin. Policia e Shtetit duhet të bëjë detyrën me të gjithë njësoj, nuk duhet të tolerojë askënd. Asnjë politikan, duke filluar nga ata të PS në qoftë se shkelin rregullat. Është e patolerueshme dhe është tërësisht e pasjellshme”.

Sa i takon mutacioneve të reja të Covid-19 që dyshohet se qarkullojnë edhe në Shqipëri, ministrja lajmëron se nga nesër nga Turqia do të mundësohet dhe një kit i ri që do të bëjë të mundur identifikimin e mutacioneve edhe në laboratorët publik në vend.

Tv Klan