Autoritetet e Kuwait njoftuan se kanë goditur një rrjet të dyshuar terrorist të lidhur me Hezbollah, duke arrestuar gjashtë persona dhe duke shpallur në kërkim të tjerë që dyshohet se planifikonin atentate ndaj figurave shtetërore.

Sipas një deklarate të Ministrisë së Brendshme kuvajtiane, të raportuar nga media franceze L’Orient-Le Jour, operacioni çoi në çmontimin e një rrjeti prej 20 personash me përbërje të ndryshme kombëtare, përfshirë shtetas kuvajtianë, iranianë, libanezë dhe të tjerë.

Ministria bëri të ditur se janë arrestuar pesë shtetas kuvajtianë dhe një i huaj, ndërsa 14 persona të tjerë, mes tyre pesë kuvajtianë, pesë të huaj, dy iranianë dhe dy libanezë, ndodhen në arrati jashtë vendit.

Autoritetet theksuan se të dyshuarit ishin të lidhur me Hezbollah-un dhe se rrjeti kishte në plan “vrasjen e figurave dhe drejtuesve të shtetit”, si dhe rekrutimin e personave për realizimin e këtyre operacioneve. Sipas deklaratës zyrtare, disa prej të arrestuarve kanë pranuar se kishin kryer aktivitete spiunazhi dhe ishin të gatshëm të zbatonin urdhra që përfshinin edhe atentate.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se anëtarët e rrjetit kishin marrë trajnim të avancuar ushtarak jashtë vendit nga pjesëtarë të Hezbollah-ut. Ky trajnim përfshinte përdorimin e armëve dhe eksplozivëve, teknika survejimi dhe aftësi për kryerjen e atentateve.

Ministria e Brendshme e Kuwait e cilësoi këtë rast si “një akt kriminal jashtëzakonisht të rëndë dhe tradhti të madhe ndaj atdheut”, duke theksuar se synonte drejtpërdrejt sigurinë kombëtare, drejtuesit dhe stabilitetin e vendit.

/tvklan.al