Lajme Arkiva 2003

Edmond Llagami 30-vjeçari i dyshuar nga policia si një nga autorët e vrasjes së priftit spanjoll Joakim Bernard 3 vjet më parë është arrestuar në afërsi të banesës së tij. Ai jeton së bashku me gruan e cila pret të lindë një fëmije dhe me prindërit e tij në një banesë me qira në lagjen kinostudio pranë shkollës Gjon Buzuku. Nëna e Llagamit e ka mësuar sot motivin e arrestimit të LLagamit, lajm që e ka tronditur pasi ajo thotë se djali  i saj nuk mund të ketë kryer një krim të tillë.

Gazetarja: Ku është ndodhur djali juaj në maj të vitit 2000?

Nëna e të dyshuarit: Këtu në Shqipëri ka qenë, ai më shuma ka qenë në Greqi, po këtu në Shqipëri ka qenë. Këtu dhe nuk ka pasur as shenjën më të vogël, qoftë i nxehur, qoftë i tensionuar, ose i prishur gjaku, absolutisht.

Në kohën kur është vrarë prifti spanjoll, Joakim Bernard, Edmondi kishte pak javë që kishte mbaruar dënimin prej 3 muajsh burg për dezertim nga ushtria. Nëna e tij nuk e ka dëgjuar asnjëherë emrin e Eduard Keçit, personit të akuzuar si autori tjetër në krim dhe që sipas policisë ka pasur mik të ngushtë Llagamin.

Nëna e të dyshuarit: Jo absolutisht nuk e njoh fare. As shok nuk i njoh djalit. Vetëm një djalë xhaxhai që ka këtu ngjitur me shtëpinë, komshi dhe janë gjak. Janë çuna të rinj që lozin me kompjuter në shtëpi. Nuk di unë asnjë shok.

Ndërsa policia deklaron se ka prova bindëse që implikojnë në krim Edmond Llagamin. Familjarët e tij thonë se nuk janë pyetur asnjëherë nga hetuesit dhe nuk ka ardhur askush të kryejë një kontroll. Llagami pritet të njihet në gjykatë me masën e sigurisë ditën e nesërme, por mësohet se ai nuk e ka pranuar krimin./tvklan.al