Mëngjesi i kësaj të hëne ishte fundi i arratisë 10‑mujore të Ylli Zallës, një personazhi të njohur dhe të kërkuar nga Policia e Shtetit për posedim armësh dhe lëndësh plasëse. 49‑vjeçari u arrestua si rezultat i një operacioni që angazhoi dhjetëra forca policie, mes të cilave ato operacionale dhe të RENEA‑s, në një banesë disa metra larg shtëpisë së tij, e cila të dielën ra pre e një shpërthimi me tritol.

Në momentin e ndalimit, Zalla kishte me vete edhe një armë zjarri të llojit kallashnikov, por mësohet se nuk iu ka bërë rezistencë forcave të policisë. Me forca të shtuara sigurie ai u transportua për në Drejtorinë e Policisë, ku iu komunikua arresti për prodhim dhe mbajtje të armëve dhe municionit.

Në disa dalje publike dhe reagime në rrjetet sociale, Ylli Zalla ka mohuar akuzat dhe ka ngritur pretendime se vetë policia nuk donte ta arrestonte, por ta vriste.

Ai u shpall në kërkim më 14 nëntor të vitit 2025, pas kontrolleve që Policia po kryente në zonën e Fushë‑Krujës, në kuadër të hetimeve për atentatin në aeroportin e Rinasit, ku u vranë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani.

Në banesën e tij, Policia tha se kishte gjetur një arsenal armësh.

Uniformat blu u rikthyen në banesën e Zallës më 20 shkurt të këtij viti, ku po ashtu gjetën një tjetër arsenal armësh, lëndë plasëse, municion luftarak, lëndë narkotike dhe uniforma policie.

Në përpjekje për arrestimin e tij, Policia shkoi sërish në banesën e tij më 23 qershor, ku gjetën një armë zjarri pistoletë me fishekë në fole, gati për qitje, një celular, municion luftarak dhe një detektor frekuencash.

Tv Klan

/tvklan.al