Policia ka arrestuar jurisitin e Burgut 313 Ardian Kasaj me akuzën shpërdorim detyre lidhur me lirimin e paligjshëm të një të akuzuari për vrasje. Lajmi konfirmohet nga Ministria e Rendit Publik sipas së cilës Gjykata e Tiranës ka firmosur një ditë më parë përveç këtij urdhër-arresti edhe atë për ish-drejtorin e Burgut 325 Ajet Zyberi dhe për juristin e po këtij burgu Dritan Cenaj. Shkelja e kryer nga jursiti i Burgut të Sigurisë së Lartë 313, sipas ekspertëve që janë marrë me këtë skandal, qëndron në faktin se ai ka lejuar transferimin e Eduard Çunit në Burgun e Sigurisë së Zakonshme 325. Sipas zëvendësministrit të Drejtësisë Përparim Sanxhaku autoritetet e të dy burgjeve kanë qenë në dijeni për masën e sigurisë për akuzën e vrasjes gjë që i detyronte ata të mos e transferonin Eduard Çunin nga Burgu i Sigurisë së Lartë. Një ditë më parë numri dy i Ministrisë së Drejtësisë Sanxhaku konfirmoi se kjo ministri kishte bërë kallëzim penal për tre zyrtarët e burgjeve ndaj të cilëve ka tani një mandat arresti. /tvklan.al