Justin Timberlake është arrestuar nga policia e Nju Jorkut për drejtim të makinës në gjendje të dehur.

Sipas dokumenteve të gjykatës, efektivët e policisë kanë vënë re Timberlake duke drejtuar një BMW ngjyrë gri pak pas mesnate.

Në dokumenta thuhet se Timberlake nuk arriti të ndalonte në një semafor dhe dy herë nuk arriti të qëndronte në korsinë e duhur. Kur u ndalua nga policia, këngëtari kishte përqëndrim të dobët për shkak të sasisë së madhe të alkolit të konsumuar.

Ai pritet të dalë para gjykatës më 26 Korrik. Mediat e huaja shkruajnë se Timberlake kishte konsumuar pije alkolike me miqtë e tij në një lokal nate në qytetin Hamptons.

Timberlake fillimisht fitoi popullaritet si anëtar i një grupi të njohur djemsh në fund të viteve ’90 dhe në vitin 2002 ai ndoqi karrierën e tij solo. Përveç karrierës në muzikë ai ka luajtur gjithashtu në disa filma të mëdhenj, si “The Social Network”, “Bad Teacher” dhe “Friends With Benefits”.

Klan News