Ky është momenti kur forcat speciale RENEA, rrethojnë banesën e kreu të bandës së Shijakut Astrit Avdylaj. Siç duket edhe nga pamjet, efektivët shpërndahen edhe në banesa të tjera, për të mos i krijuar kushtet për tu arratisur.

Ndalimi i tij u bë pas rreth 1 muaji që u shpall në kërkim në kuadër të operacionit “Revanshi” ku i firmosën 50 urdhër arreste.

Injohur edhe me mbiemrat Balliu e Sulejmani, 50-vjeçarit gjatë momentit të arrestimit iu gjet me vetë edhe një armë zjarri pistoletë, që e mbante pa leje.

Ndaj Avdylajt janë ngritur 5 akuza nga ana e prokurorisë së posaçme të cilat janë nga sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje, deri tek ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit.

Sa i përket veprës më të rëndë, ajo e sigurimit të materiale për të kryer vrasje, është për tentativat e vrasjes së Durim Bamit. Sipas dosjes së SPAK, 4 grupe kriminale, i Arben Ndokës, Ervis Martingajt, Emiljano Shullazit, dhe Astrit Avdyli ishin bërë bashkë për të ekzekutuar të fortin e Niklës, Durim Bami.

15 anëtarët e 4 grupeve kriminale synonin të hiqnin qafe edhe të vëllain e tij, Valter Bamin. Nga hetimet e SPAK rezultoi se banda e Avdylajve në Shijak bashkëpunonte edhe me atë të Bajrave në Shkodër.

Në vitin 2020, Avdyli komunikonte disa herë me Arben Ndokën duke i vënë në dispozicion atij edhe nipin e tij, Aldo Avdylin, si dhe Arben Merkurin të njohur si Maneci, i cili u vra në vitin 2022. Nipi i tij hyri në mënyrë ilegale i ndihmuar nga Astrit Avdylajt, nëpërmjet Malit të zi që të kryente vrasjen dhe më pas të kishte alibi që nuk ndodhej në vendin tonë.

Astrit Avdyli është përballur më herët me drejtësinë për akuza të trafikut të drogës dhe krimeve të rënda kundër jetës.

Për operacionin reagoi edhe ministri i brendshëm Taulant Balla, i cili përgëzoi Policinë e Durrësit dhe forcat RENEA. Sipas ministrit arratia dhe përballja me drejtësinë po merr përgjigjen e duhur çdo ditë.

Klan News