Një ndihmës i një politikani të ekstremit të djathtë gjerman, që kandidon në zgjedhjet evropiane të qershorit, është arrestuar nën dyshimin se ka spiunuar për Kinën.

Personi i identifikuar si Jian Guo, akuzohet se ka informuar shërbimin inteligjent kinez në lidhje me negociatat në Parlamentin Evropian, si dhe për spiunim të figurave të opozitës kineze në Gjermani.

I dyshuari u arrestua pasi tre shtetas gjermanë u vunë në pranga nën dyshimin se punonin me Ministrinë e Sigurisë së Shtetit të Kinës për të dorëzuar teknologjinë që mund të përdorej për qëllime ushtarake.

Në faqen e internetit të Parlamentit Evropian, Jian Guo është renditur si një asistent i akredituar i Maximilian Krah, një deputet dhe kandidati kryesor i partisë së ekstremit të djathtë AfD në zgjedhjet e ardhshme në BE.

Javën e kaluar autoritetet gjermane arrestuan dy shtetas gjermano-rusë, të cilët dyshohet se po spiunonin në emër të Rusisë, duke vëzhguar bazat ushtarake duke përfshirë ato amerikane, të përdorura për trajnimin e ukrainasve në operacionin e tankeve Abrams, me synimin për të kryer sulme ndaj tyre.

Arrestimet vijnë një javë pasi kancelari Olaf Scholz udhëtoi në Kinë për të përmirësuar marrëdhëniet ekonomike me partnerin më të madh tregtar të Gjermanisë, si dhe për të adresuar dallimet si mbështetja kineze për Rusinë.

Klan News