Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 60-vjeçar, punonjës i sigurisë së bankës së nivelit të dytë në rrugën “Sulejman Delvina” në kryeqytet, që paraditen e së martës ra pre e grabitjes me armë.
Sipas grupit të hetimit, ai dyshohet se ka konsumuar veprën penale “shpërdorim detyre”, pasi është larguar nga filiali i bankës gjatë orarit të shërbimit dhe nuk ka marrë masat për sigurimin e ambientit të brendshëm.
Deri në këtë fazë të hetimit, policia dhe prokuroria ende nuk kanë arritur të bien në gjurmët e autorit, i cili nën kërcënimin e armës mori nga tre sportelet e bankës rreth 6.1 milionë lekë.
Burime pranë grupit të hetimit i thanë Tv Klan se autori, në momentin që është futur në ambientet e bankës, është përplasur me një klient të rastësishëm që i ka marrë armën e zjarrit. Megjithatë, grabitësi ka mundur ta rimarrë armën dhe bashkë me të edhe paratë që ndodheshin në tre arka.
Më pas, autori i maskuar është larguar nga vendngjarja me një skuter, në drejtim të sheshit “Wilson”.
Pavarësisht se deri tani janë analizuar dhjetëra kamera, policia ende nuk ka zbardhur dinamikën e lëvizjes së tij. Dyshimet janë se ai ka pasur informacion të saktë për lëvizjet në bankë, pasi edhe mbërritja në filialin e bankës ka qenë e menjëhershme.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 