Vetëm dy javë para nisjes së Lojërave Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026, qendra e qytetit Ortisei, në veri të Italisë, është shndërruar në një ekspozitë të hapur arti.
Skulptura madhështore prej akulli, me tematikë olimpike, po ndërtohen drejtpërdrejt para syve të vizitorëve dhe banorëve.
Artistë nga vende të ndryshme të Europës, mes tyre edhe studentë të shkollës së artit “Cademia”, gdhendën pishtarë olimpikë, unazat olimpike dhe figura sportistësh.
Punimet realizohen në zonën pedonale të qytetit, duke përdorur çekanë, daltë, sharra elektrike dhe madje edhe flakë gazi, ndërsa turistët shijojnë nga afër procesin.
“Shumë e bukur, vërtet shumë e bukur. Do të donim t’i shihnim skulpturat kur të përfundojnë plotësisht, por fatkeqësisht nuk do të jemi më këtu. Të dielën kthehemi në shtëpi”, tha një turiste nga Gjermania, shkruan Reuters.
Mes vizitorëve ka edhe turistë nga Austria, të cilët shprehen të entuziazmuar për Lojërat Olimpike dhe për nivelin artistik të veprave.
“Jam shumë pro Lojërave Olimpike. Ajo që po na prezanton këtu shkolla e artit është vërtet mbresëlënëse. Jemi shumë të mahnitur”, u shpreh një tjetër turist.
Ortisei ndodhet në luginën Val Gardena, e njohur për traditën shekullore të gdhendjes së drurit, që daton që nga shekulli i 17-të.
Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026 do të zhvillohen nga 6 deri më 22 shkurt.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 