Në një ceremoni të zhvilluar mesditën e kësaj të marte, Ministri i Brendshëm i dorëzoi familjes së të ndjerit Artan Cuku, titullin “Dëshmor i Atdheut”. Ish-drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit u vra më 8 Prill të 2017-s në një atentat të ndodhur poshtë pallatit ku jetonte në Tiranë.

Gjatë fjalës së tij, Ministri Lleshaj tha se ky titull i jepet Cukut për

“veprën dhe sakrificën sublime të një oficeri të Policisë Shqiptare, i cili nga sot i bashkohet radhës së “Dëshmorëve të Atdheut”, duke merituar respektin dhe mirënjohjen e përjetshme të të gjithë shqiptarëve”.

“Me këtë akt të thjeshtë dhe simbolik, ne i shprehim respektin dhe mirënjohjen gjithë familjarëve dhe të afërmve të Artan Cukut, të cilët kanë patur nderin, por dhe fatin për ta lindur, rritur, edukuar dhe shoqëruar përgjatë jetës së tij të shkurtër, por dhe të lavdishme”,

tha Lleshaj.

Artan Cuku u ekzekutua nga Mikel Shallari, i arrestuar dy muaj pas vrasjes. Shallari e vrau ish-komisarin me porosi të Bledar Jambellit, i cili u arrestua në Dhjetor të vitit që lamë pas në Athinë, prej nga pritet ekstradimi i tij drejt Shqipërisë ku do të duhet të përballet me drejtësinë.

/tvklan.al