Ky filmim tregon momentin kur kapsula “Integrity” e anijes hapësinore Orion, me katër anëtarët e ekuipazhit të misionit Artemis II, bie në ujërat e Oqeanit Paqësor duke përmbyllur me sukses një udhëtim dhjetëditor. Ky mision shënon rikthimin e njeriut në afërsi të Hënës pas më shumë se gjysmë shekulli, duke hapur rrugën për zbritjen e radhës në sipërfaqen e satelitit tonë.
Katër astronautët u nxorën nga deti përmes një operacioni të precizitetit të lartë dhe u transportuan me helikopter në anijen USS John Murtha. Reid Wiseman, Victor Glover, Christina Koch dhe Jeremy Hansen janë në gjendje shumë të mirë shëndetësore dhe u shfaqën të buzëqeshur përpara se të niseshin drejt Hjustonit për ekzaminime të detajuara.
Ky mision vendosi një rekord të ri, duke i dërguar njerëzit në një distancë prej gati 407 mijë kilometrash nga Toka, pika më e largët e arritur ndonjëherë në histori. Presidenti Donald Trump e përshëndeti suksesin përmes rrjetit Truth Social, duke e cilësuar udhëtimin “spektakolar” dhe duke ftuar ekuipazhin në Shtëpinë e Bardhë për të biseduar mbi hapin e radhës: Marsin.
Shkencëtarët e NASA-s do të analizojnë të dhënat e mbledhura gjatë mbikëqyrjes së sipërfaqes hënore, përfshirë pamjet e detajuara nga “ana e errët” e saj. Këto studime do të ndihmojnë në njohjen më të mirë të mjedisit ku pritet të ndërtohet baza e parë e përhershme njerëzore në satelitin e Tokës.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 