Dhe 2 ditë na ndajnë nga finalja e “X Factor Albania” që do të jepet drejtpërdrejtë në ekranin e Televizionit Klan, ditën e premte në orën 21:00. Por, emocionet për konkurrentët duket se kanë nisur që tani. Në një garë mes Salvatores, Rigersës dhe Leandrës, asgjë nuk është e parashikueshme.
Të ftuar në studion e “Rudina”, ‘vocal coach-ët’ e tyre, Kamela Islamaj, Land Kademi dhe Erinda Agolli tregojnë përgatitjet intensive për natën finale. Edhe pse shumë të rezervuar ata ndajnë më publikun pak nga surprizat që ka rezervuar finalja e edicionit të 6-të të “X Factor Albania”.
Kamela Islamaj: Është një periudhë shumë intensive në fakt sepse ka shumë performanca. Ka prova të zgjatura, duete, kolazhe e shumë surpriza të bukura që do të bëhen. Kështu që patjetër që është intensive, emocionuese, por dhe pak melankolike, sepse dalëngadalë do të përshëndetemi me njerëzit që kemi ndenjur për muaj të tërë.
Land Kademi: Por, me sa dimë 1 konkurrent do të ketë së paku 3 performanca. Të mos zbulojmë shumë gjëra të tjera, sepse disa mbeten surprizë për hir të spektaklit.
Kamela Islamaj: Sigurisht që do të jetë dhe dueti me mentorin përkatës, kështu që deri këtu mund të futemi.
Land Kademi: Prandaj, mund të ketë performanca që nuk lidhen drejtpërdrejtë me finalistët./tvklan.al