Mesazhin e tij në Asamblenë e Partisë Socialiste, Edi Rama e përqendroi te momenti në të cilin ndodhet vendi në raport me integrimin. Nisjen e punës për hartimin e traktatit të anëtarësimit në Bashkimin Europian, kryeministri e cilësoi një togfjalësh të paarritshëm deri dje.

“I rekomandohet Këshillit Europian të nisë gjatë vitit 2027, pra për pak muaj, përgatitjet për të hartuar traktatin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Është një togfjalësh që shfaqet për herë të parë në rrugëtimin europian të Shqipërisë. Faqja e fundit e historisë që po e shkruajmë ne, Partia Socialiste e Shqipërisë, me besimin e shumicës së shqiptarëve, e paarritshme deri dje, por sot e prekshme.”

Rama bëri një bilanc të gjatë të transformimit që, sipas tij, ka pësuar vendi gjatë qeverisjes së tij, nga infrastruktura, ekonomia, shëndetësia, arsimi apo edhe reformimi i drejtësisë.

“Hyrja në atë faqe nuk bëhet duke u rrokullisur në humnerë, por duke kaluar nga një ekonomi me më pak se 10 miliardë euro si ajo që kishim kur ne nisëm këtë rrugëtim, në një ekonomi që sot ka prekur tavanin e 30 miliardë eurove. Nuk bëhet hyrja në atë faqe duke u zhytur në korrupsion, po duke krijuar dhe duke mbështetur pa kushte organe të pavarura drejtësie, të cilat e luftojnë korrupsionin deri në nivelet më të larta të pushtetit politik.”

Protesta e nisur prej muajsh, thotë se, u përdor politikisht dhe u kthye në një ofensivë dhune kundër perspektivës së vendit.

“Vendi po jeton presion të brendshëm përmes instrumentalizimit politik të një proteste të nisur për arsye të tjera e të degraduara në ofensivë dhune kundër qeverisë në dukje, por në fakt kundër mënyrës sesi ne duam që Shqipëria të shkojë përpara.”

Të tijve u kërkoi mobilizim të plotë dhe nisjen e një debati kombëtar në të gjithë territorin.

“Burimet këtu në Tiranë janë kundër nesh, për një mijë e një arsye. Por ne kemi burimin që s’na ka lënë në baltë asnjëherë. Prandaj ka ardhur koha e një pranie politike të shtrirë gjerësisht në territor. Debati për Shqipërinë është ky: duhet të diskutojmë nga sot deri në 9 maj që të merremi vesh, ore, ça Shqipërie duam? Si bëhet ajo Shqipëria nëse duam një Shqipëri ku kemi shumë më tepër për të rishpërndarë.”

Prerazi mohon çdo mundësi për dorëheqje.

“Iluzioni i largimit tim me dhunë, se ata e kanë me ju, me PS, unë jam thjesht pengesa më e madhe dhe manipulimi i madh që e shoqëruan atë iluzion, kanë krijuar një shtresë toksike që ne duhet ta purifikojmë në të gjithë territorin me fjalën tonë, faktet tona dhe angazhimin tonë për të dëgjuar njerëzit.”

Pavarësisht debateve të brendshme, thotë se ndihet krenar për atë që Partia Socialiste përfaqëson.

“Unë jam krenar për këtë parti, sepse të zhytur këtu në këtë vorbullën tonë të Tiranës, të lagjes politike, të dhomave dhe kuzhinave të PS-së, ne rrezikojmë ta humbim sensin e perspektivës që e kemi shumë të thjeshtë: Brukseli në KE.”

Përsëriti qëndrimin se as ai dhe as Partia Socialiste nuk bëhen mburojë e askujt që ka probleme me drejtësinë, kur foli për çështjen e kryebashkiakut Veliaj.

“Po do të gjeni fjalë të miat, për paraburgimin e kryetarit të bashkisë së Tiranës është absurd dhe mbetet një çështje e demokracisë. E kam thënë këtë gjë, e përsëris. Nuk mund t’i marrësh ti kryeqytetit kryetarin e zgjedhur dhe ta mbyllësh brenda pa gjyq.”

Shpjegoi edhe votën kundër për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.

“Në rastin e Ballukut kam thënë: s’ka arsye që ne, kur erdhi puna te ne, ta ngremë kartonin për të paraburgosur një kolege pa gjyq, kur hetimet vazhdonin. Jo te mendimi im për çështjen, po te vota jonë. Sot e vërteta është aty: hetimet vazhduan, u kryen, çështja shkoi në gjyq. Pra, nuk ishte pengesë. Ishte pjesë e një qasjeje që ne të gjithë bashkë do ta kundërshtojmë me ligj.”

Kryeministri nënvizoi se prej më shumë se një viti po punohet me paketën e masave për paraburgimin.

Tv Klan

/tvklan.al