Dy kryepleq fshatrash po hetohen nga Policia e Shkodrës si pasojë e operacionit “Koordinata” për parandalimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike.

Uniformat blu thonë se procedimet nisën pas kontrolleve në Shkodër ku u gjetën 625 bimë narkotike. I hetuar ka përfunduar edhe një inspektor pyjesh.

“Në vijim të veprimeve për këto dy raste nisi procedimi në gjendje të lirë, për shpërdorim të detyrës dhe moskallëzim krimi, për  kryeplakun e fshatit Drisht shtetasin V. D., kryeplakun e fshatit Kir, shtetasin S. H., dhe Inspektorin e Pyjeve, shtetasin A. M”, njoftoi policia.

Një pjesë e bimëve narkotike, u gjetën edhe në Malësi të Madhe dhe në Vaun e Dejës, sipas policisë.

“Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të kultivimit të këtyre bimëve narkotike”, njoftoi policia./tvklan.al