Sa vjen e ashpërsohen sulmet e ndërsjella mes Izraelit dhe Iranit. Në ditën e 11-të të konfliktit, numri i të plagosurve në Izrael ka arritur në 191, ndërsa sulmet ajrore amerikano-izraelite në Teheran dhe qytete të tjera të Iranit vranë të paktën 40 persona. Irani ka konfirmuar se deri tani nga bombardimet kanë humbur jetën 193 fëmijë, duke dëshmuar se sulmet po godasin pa dallim zonat e populluara dhe infrastrukturën shëndetësore.

Irani është kundërpërgjigjur duke lëshuar breshëri raketash drejt Tel Avivit dhe Haifas, ndërsa dronët e tyre kanë goditur objektiva në Bahrein, Kuvajt dhe Arabinë Saudite. Garda Revolucionare njoftoi se ka goditur edhe bazën ajrore amerikane “Harir” në Erbil të Irakut me pesë raketa. Ndërkohë që SHBA pretendon se ka dëmtuar arsenalin iranian, Teherani sfidon duke deklaruar se po vendos në gatishmëri raketa me koka luftarake mbi 1 ton.

Diplomacia duket e vdekur. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu lëshoi kërcënime të ashpra ndaj Iranit.

“Po u thyejmë kockat atyre dhe do të bëjmë akoma më shumë”, tha kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu.

Më herët, mbrëmjen e të hënës, presidenti amerikan paralajmëroi se lufta është drejt fundit.

“Do ta shihni se do të jetë një ekskursion afatshkurtër. Ne kemi fituar tashmë në shumë mënyra”, u shpreh Trump.

Trump bisedoi në telefon me presidentin rus Vladimir Putin për zgjidhjen e konfliktit. Ndërsa kryediplomati iranian Abbas Aragchi dhe kreu i parlamentit Mohammad Bagher Ghalibaf deklarojnë se amerikanët nuk janë më palë e besueshme për të biseduar.

“Nuk mendoj se bisedimet me amerikanët janë sërish një zgjidhje, pasi kemi një përvojë shumë të hidhur të të folurit me ta”, tha Abbas Aragchi, ministër i Jashtëm i Iranit.

“Përfundimisht nuk kërkojmë më armëpushim. Besojmë se agresorët duhet të grushtohen që të nxjerrin mësim dhe të mos mendojnë kurrë më të sulmojnë Iranin”, tha Mohammad Bagher Ghalibaf, drejtues i parlamentit të Iranit.

Izraeli vazhdon me sulmet e ashpra kundër Hezbollahut edhe në Liban. Bilanci i viktimave mes civilëve në Liban ka arritur në 486, ndërsa në Izrael mbi 1 mijë e 250.

Tv Klan

/tvklan.al