Gazetarja: “Inspektoriati i Lartë i Kontrollit të Pasurive nuk ka bërë ende verifikimin e pasurisë së deklaruar nga kryeministri i vendit Fatos Nano.”

Megjithëse në shtyp janë dhënë mjaf fakte ku hidhet poshtë vërtetësia e deklaratës për pronën në zotërim nga çifti Nano, ky inspektoriat prej gati 3 muajsh hesht. Kryeministri është ndër të parët zyrtarë dhe politikanë që ka dorëzuar deklaratën në fjalë, por Inspektoriati i Lartë i Kontrollit të Pasurisë nuk ka mundur deri tani të shprehet në lidhje me saktësinë e deklarimit. Pas publikimit në shtyp të pasurisë së zotit Nano, kryeinspektorja Laska dhe një pjesë e stafit të saj udhëtuan drejt Shteteve të Bashkuara për një trajnim disa javor. Pas kthimit nga udhëtimi i saj i punës zonja Laska u shpreh se, nëse dikush ka faktë për deklarimi të rremë të kryeministrit, mund t’i paraqesë ato pranë inspektoriatit. Kjo kërkesë e zonjës Laska është hedhur poshtë nga juristë dhe hartues të ligjit të cilët kanë shprehur se është detyrë e këtij inspektoriati të bëjë verifikim. Stafi i zonjës Laska shprehet se ka filluar punën për verifikimin e deklarimeve, por megjithëse ky afat ka filluar prej 31 marsit Inspektoriati i Lartë i Kontrollit të Pasurisë nuk bën publike nëse ka patur deklarime të rreme të cilat çdo zyrtar, përfshi dhe kreun e qeverisë, rrezikon deri në dy vjet heqje lirie. /tvklan.al